Mër, Maj 18, 2022
Banner Top
Banner Top
Rritja e cmimeve – Qytetarët presin ndërhyrje nga Qeveria

Rritja e çmimit të derivateve në botë pritet që drejtpërdrejtë të ndikojë edhe në shtrenjtimin e produkteve tjera, pasi në Kosovë sasia më e madhe e mallrave importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe ato të rajonit.

Këto rritje kanë bërë që qytetarët të dalin të pakënaqur dhe të presin reagime nga qeveritarët.

Burim Krasniqi për KosovaPress, ka thënë se po pret që Qeveria të gjejë një formulë dhe modalitet që të subvencionojë, që këto çmime të jenë të arsyeshme.

“Unë vlerësoj që duhet që Qeveria të gjejë një formulë dhe modalitet që të subvencionojë, që çmimet e naftës të jenë të arsyeshme për operim normal në treg, por edhe për bujqit që të dalin me produkte bujqësore sa më të lira, me qëllimin e vetëm që të jenë konkurrentë në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Në të kundërtën, pritet që prodhimi bujqësor nuk do të jetë i mirë fatkeqësisht, pra do të kemi rritje të çmimeve në përgjithësi të produkteve bujqësore”, tha Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu përmend edhe rritjet e çmimeve të biletave të autobusëve, dhe vlerësoi që një rritje e vazhdueshme do të ndikojë në falimentimin e bizneseve.

“Te çmimi, te transporti i udhëtarëve me autobusët kemi rritje të çmimeve sa i përket biletave të autobusëve në transportin ndër-urban. Nëse ndodh një fenomen i tillë, do të ketë rritje të vazhdueshme që nënkupton që ka për të humbur varshmërinë e shfrytëzimit të transportit publik, që rrezikon falimentimin e bizneseve sidomos atyre që operojnë transportin ndër-urban”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, Shemsedin Thaçi, tha që ndërhyrja e Qeverisë do të ndikonte në stabilizim të gjendjes, të quajtur sipas tij gjendje e rënduar e popullit të Kosovës.

 “Rritja e çmimit të naftës është trend botëror, por Qeveria duhet të ndërhyjë duke zbritur tatimet, akcizën, të ndikojë që sado pak të stabilizohet gjendja edhe ashtu e rënduar e popullit të Kosovës”, tha Thaçi.

Derisa, kishte edhe prej atyre, që rritjet e këtyre çmimeve i konsideroi si normale, për faktin që Kosova është një shtet që nuk prodhon. Megjithatë sipas Shefqet Islamit, kjo po ndodh sikurse edhe në vendet e tjera të botës.

“Kjo është rritje në krejt botën, Kosova as nuk prodhon e as nuk e shtrenjton, kur shtrenjtohet në hapësirë shtrenjtohet edhe këtu… Rritja e çmimeve shkon krejt në bazë të rritjes së naftës, pasi që nafta i rrit të gjitha çmimet”, tha Islami.

Ndryshe, Pas shtrenjtimit të naftës në tregun tonë deri 1.65 euro, qeveria ka marrë vendim që ta subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro ose 36 centë për një litër.

Në raport për rrethanat e krijuara, bujqit përpos naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror, 150 euro për hektar për grurin, kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e misrit, patates dhe fasules.

Ndërkaq, për grurin përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, do të bëhet subvencionimi prej 3 centë për një kilogram për dorëzim në mulli. Në total, sipas qeverisë, duke përfshirë këtu subvencionimin e sipërfaqes, rendimentit, plehërimit pranveror dhe naftës, kultura e grurit po subvencionohet për 474 euro ose 320 euro më shumë.

Arkiva

Kategoritë