Mar, Mar 31, 2026
Banner Top
Banner Top

Jetesa me të dyja këto gjendje neurozhvillimore mund të duket si një betejë mes nevojave të kundërta. Vajzat me ADHD ose autizëm shpesh kanë simptoma të ndryshme nga djemtë

Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) dhe çrregullimi nga spektri i autizmit janë çrregullime neurozhvillimore që ndikojnë në mënyrën e të menduarit, të nxënit dhe të sjellurit.

Edhe pse ADHD dhe autizmi janë diagnoza të veçanta, ato ndajnë disa karakteristika të përbashkëta, dhe shumë persona jetojnë me të dyja gjendjet.

Simptomat e ADHD-së dhe autizmit zakonisht shfaqen në fëmijëri të hershme dhe mund të ndikojnë në sjellje, mësim, komunikim dhe rregullim emocional gjatë gjithë jetës, shkruan Very well health, përcjell Telegrafi.

ADHD është një çrregullim neurologjik i shoqëruar me një grup simptomash nga tri kategori:


• Vëmendje e dobët
• Hiperaktivitet
• Impulsivitet

Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që shfaq një gamë të gjerë simptomash, më të theksuara janë:

• Vështirësi në socializim
• Veprime stereotipike dhe sjellje të përsëritura
• Vështirësi në të folur dhe komunikim

Dallimet kryesore mes ADHD-së dhe autizmit

Interaksioni social:

• ADHD: Ekziston vetëdija për normat shoqërore, por personi ka vështirësi t’u përmbahet për shkak të impulsivitetit.
• Autizmi: Vështirësi në kuptimin e shenjave dhe normave shoqërore.

Kontakti me sy:

• ADHD: Zakonisht ka kontakt me sy.
• Autizmi: Shpesh shmanget kontakti me sy.

Zhvillimi gjuhësor dhe të folurit:

• ADHD: Zhvillim normal gjuhësor, por personi mund të ndërpresë ose hyjë në biseda të të tjerëve.
• Autizmi: Zhvillim i vonuar i të folurit (shpesh mungesë e belbëzimit tek foshnjat), përsëritje fjalësh.

Vëmendja:

• ADHD: Mungesë vëmendjeje dhe vështirësi në fokusim. Vëmendje e tepruar në aktivitetet me interes personal.
• Autizmi: Mund të ketë fokus intensiv në interesa specifike ose tema të caktuara.

Ndryshimi i zakoneve:

• ADHD: Personi i përshtatet ndryshimeve dhe kërkon shpesh eksperienca të reja, por mund të jetë i paorganizuar.
• Autizmi: Shpesh ka rezistencë ndaj ndryshimeve rutinore dhe shqetësohet nga ndryshimet.

Eksperiencat sensoriale:

• ADHD: Reagime të tepruara ndaj stimujve sensorë (p.sh. teksturës, zhurmave) ose nevojë për stimulim të vazhdueshëm.
• Autizmi: Ndjeshmëri e shtuar ose e reduktuar ndaj stimujve sensorë.

Sjellja:

• ADHD: Personi shpesh duket i shqetësuar ose i nervozuar.
• Autizmi: Personi mund të ketë lëvizje të përsëritura ose pozicione të pazakonta trupore.

Ngjashmëritë mes ADHD-së dhe autizmit

ADHD dhe autizmi janë gjendje neurozhvillimore që ndikojnë në zhvillimin e trurit dhe në funksionimin e përditshëm të personit. Simptomat zakonisht shfaqen në fëmijëri të hershme dhe ndikojnë në sjellje, mësim, komunikim dhe rregullim emocional gjatë jetës.
Për shkak të ngjashmërive, shpesh është e vështirë të dallohen, gjë që çon në diagnoza të vonuara ose të gabuara.

Karakteristikat e përbashkëta përfshijnë:

• Vështirësi me funksionet ekzekutive (p.sh. planifikimi, organizimi, menaxhimi i kohës)
• Sjellje impulsive
• Probleme me fokusimin ose mbajtjen e vëmendjes në një detyrë
• Vështirësi sociale
• Ndjeshmëri sensoriale (p.sh. ndaj zhurmave apo teksturave)
• Reagime emocionale të forta ndaj situatave të padëshiruara, sociale apo sensoriale
• Probleme me gjumin

ADHD dhe autizmi njëkohësisht

Është e mundur që një person të ketë ADHD dhe autizëm njëkohësisht. Vlerësohet që 50-70% e personave me autizëm kanë edhe diagnozën e ADHD-së – kjo gjendje njihet shpesh si “AuDHD”.

Personat me të dyja gjendjet mund të kenë vështirësi shtesë:

• ADHD përfshin shpesh impulsivitet dhe nevojë për gjëra të reja
• Autizmi lidhet me prirjen për rutinë

Jetesa me të dyja gjendjet mund të jetë sfidë mes dëshirës për stimulim dhe nevojës për siguri përmes parashikueshmërisë. Kjo mund të bëjë që këta persona të ndihen keqkuptuar dhe të marrin diagnoza të vonuara për shkak të mungesës së shenjave tipike.

Pse ndodhin diagnoza të gabuara?

Shumë fëmijë që më vonë diagnostikohen me autizëm, fillimisht marrin diagnozën e ADHD-së. Kjo mund të shtyjë diagnozën e autizmit për 1-2 vjet ose më shumë. Arsyet për diagnoza të gabuara ose të vonuara përfshijnë:

• Simptoma të përbashkëta si vështirësi me vëmendjen dhe ndërveprimet shoqërore
• Prezencë e dyfishtë e gjendjeve që fsheh simptomat
• Nivela të ndryshme të ekspertizës së profesionistëve
• Simptoma të autizmit të anashkaluara ose interpretuara gabimisht si ADHD
• Mungesë komunikimi të qartë mes profesionistëve shëndetësorë, shkollës dhe familjes

Youtube

Arkiva

Kategoritë