Mar, Shk 3, 2026
Banner Top
Banner Top
Në QKUK realizohet për herë të parë me sukses ndërhyrje kirurgjikale për Sindromën Eagle

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale për një patologji të rrallë dhe komplekse të njohur si Sindroma Eagle.

Këtë e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) përmes një njoftmi ku është theksuar se ndërhyrja kirurgjikale ka ndodhur te një burrë 61 vjeçar.

“Sindroma Eagle shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës dhe manifestohet me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje, si dhe, në raste të caktuara, me çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide.” ka shpjeguar SHSKUK-ja.

Sipas njoftimit, Pacienti M. D., i lindur më 1964, paraqiste simptoma klinike të vazhdueshme. Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal.

“Duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, u vendos që ndërhyrja të realizohej në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila mundëson ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore.” ka njoftuar SHSKUK-ja duke shtuar tutje se ndërhyrja kirurgjikale është realizuar me sukses, ndërsa pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm të simptomave.

Në njoftim është bërë e ditur se aktualisht, pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet për trajtim shtëpiak.

“Ky intervenim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale për Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe një dëshmi të rritjes së kapaciteteve institucionale të QKUK-së për trajtimin e patologjive të rralla dhe komplekse, në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore.” ka njoftuar SHSKUK-ja.

Në njoftim është theksuar se ndërhyrja u realizua nga ekipi i specializuar kirurgjikal në përbërje nga: Hajriz Rudari, Lulzim Vokrri, Rame Gashani dhe Art Jaha.

Ndërsa ekipi i anestezionit përbëhej nga: Alban Gjonbalaj, Zanita Ismajli dhe instrumentare ishte Antigona Tahiri.

Youtube

Arkiva

Kategoritë