Mër, Maj 20, 2026
Banner Top
Banner Top
Në Panairin e Shkencës dhe Inovacionit në Shkollën Finlandeze të Kosovës, prezantohet tema “Evolucioni në kohë”

Sot në Shkollën Finlandeze të Kosovës u mbajt Panairi i Shkencës dhe Inovacionit, një ngjarje që tashmë është bërë traditë në këtë institucion arsimor.

Përmes punimeve shumëngjyrëshe dhe të realizuara me kujdes në çdo detaj, nxënësit prezantuan temën qendrore të këtij viti, “Evolucioni në kohë”, duke sjellë një pasqyrë të gjerë të zhvillimit të ideve, stilit të jetës dhe koncepteve ndër vite.

Në kuadër të panairit u trajtua evolucioni i elementeve dhe zbulimeve në kohë, duke përfshirë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen në fusha të ndryshme si shkenca, arti, muzika, teknologjia, mënyra e jetesës dikur dhe sot, si dhe shumë disiplina të tjera kreative dhe akademike.

Drejtoresha akademike në Shkollën Finlandeze të Kosovës, Nina Hartikainen, së bashku me zëvendësdrejtorin Enes Lekiqi, theksuan se puna e bazuar në projekte u mundëson nxënësve të shprehin kreativitetin e tyre, duke e kombinuar mësimin teorik me atë praktik.

Sipas tyre, kjo qasje i ndihmon nxënësit të zhvillojnë mendimin kritik, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e ideve të reja e inovative.

Ata theksuan se mësimi përmes projekteve është një nga shtyllat kryesore të kurrikulës finlandeze dhe sistemit arsimor finlandez, ku procesi i të mësuarit nuk kufizohet vetëm në forma tradicionale.

Ndërkaq, zyrtarja e komunikimit në Shkollën Finlandeze të Kosovës, Edlira Dibrani, bëri të ditur se ky panair organizohet prej tetë vitesh dhe çdo vit trajton një temë të veçantë dhe të ndryshme nga viti paraprak.

Sipas saj, temat zakonisht lidhen me çështje aktuale të shoqërisë, duke i dhënë nxënësve mundësi të reflektojnë mbi realitetin dhe zhvillimet bashkëkohore.

Panairi ka qenë i hapur deri në orën 15:00 dhe është vizituar nga prindër dhe vizitorë të shumtë, të cilët kanë pasur mundësi të shohin nga afër punën dhe kreativitetin e nxënësve.

Youtube

Arkiva

Kategoritë