Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
“Në Kohë Lufte, Ajo Solli Jetë” – Rrëfimi i Mamisë Sanije Desku për ndihmën në mbi 100 lindje gjatë luftës në Kosovë!

Shkruan: Krenare Hoti

Lufta e fundit në Kosovë ishte një nga periudhat më të rënda dhe më të dhimbshme për popullin, kohë frike, shpërnguljesh dhe pasigurie, ku çdo ditë sillte rrezik dhe humbje.

Megjithatë, edhe në mes të zjarrit dhe pasigurisë, jeta nuk u ndal. Mes maleve, fshatrave të boshatisura dhe kushteve të skajshme, kishte njerëz që zgjodhën të qëndrojnë në shërbim të jetës, duke mos u tërhequr përballë rrezikut për të ndihmuar të tjerët.

Një nga këto ishte edhe mamia Sanije Desku e cila pikërisht në ato rrethana të jashtëzakonshme u bë mbështetje për gratë shtatzëna, duke ndihmuar mbi 100 prej tyre të sillnin në jetë fëmijët gjatë luftës. Me përkushtim dhe guxim, siç thekson ajo vetë, u doli në ndihmë nënave lehona në kushte larg çdo sigurie spitalore, duke e kthyer profesionin e saj në mision human në kohë lufte.

Në rrëfimin e zonjës Desku për FamiljaJonë, ajo shprehet se kujtimi i parë që i vjen në mendje për luftën lidhet me fillimin e saj në Drenicë dhe sidomos me rezistencën e Familjes Jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998.

Ajo thekson se rënia heroike e tyre për lirinë e Kosovës ishte një moment që i tronditi dhe i mobilizoi të gjithë. Ajo tregon se kjo sakrificë i motivoi për qëndresë dhe organizim edhe në Malishevë. Në fjalët e saj, për t’i dalë në ndihmë Drenicës, u organizuan ndihma për popullatën dhe shkuan me barna dhe gjëra të tjera të nevojshme.

Me emocion, ajo kujton edhe kushtet e vështira në të cilat ndodhnin këto lindje. Pas ofensivës serbe Desku dhe shumë të tjerë u detyruan të largoheshin nga Malisheva drejt fshatit Panorc, e më pas, në mars 1999, të ngjiteshin në malet e Turjakës për shkak të granatimeve. Në ato rrethana që ajo i quan të jashtëzakonshme, Sanije Desku thotë se u doli në ndihmë nënave lehona gjatë lindjeve, ndërkohë që ndihmonte edhe disa ushtarë të plagosur dhe civilë.

Desku përmend se si lindjet janë të vështira edhe në kushte normale, e lëre më në male dhe në kohë lufte. Megjithatë, ajo thekson se me kujdes të veçantë dhe profesionalizëm arriti të ndihmojë mbi 100 gra gjatë lindjes. Ky numër nuk është vetëm një shifër, por përfshin 100 histori jete!

Gjatë rrëfimit, zonja Desku kujton se ka shumë raste që i kanë mbetur thellë në kujtesë, e që për FamiljaJonë vecon dy rastet më të rënda që nuk do t’i harroj kurrë.

“Një grua e kishte tensoni shumë të lartë, prandaj kisha frikë mos po dështon në lindje, por për fat kaloj mirë. Kurse rasti tjetër isht një grua që pas çdo lindje në spital kishte marrë gjak pas lindjes, por në kushtet ekstreme që ishim, u pajtuam që t’i ndihmoj në lindje dhe kaloj mirë pa probleme”, shprehet ajo.  

Sanije Desku tregon se pavarësisht frikës së madhe të grave gjatë lindjes, shpresa nuk mungonte asnjëherë!

Gjithashtu, ajo kujton ndjenjat e saja të gëzimit dhe lumturisë për faktin që ishte në gjendje t’i ndihmonte gratë e tjera.  Sipas saj, për fat të mirë kanë shpëtuar të gjitha gratë dhe fëmijët e tyre. Ato dhe familjet e tyre, siç thekson ajo, kanë qenë shumë falënderuese. Por ajo pranon se frikën më të madhe e mbante vetë, sepse çdo ndërlikim gjatë lindjes do ta rëndonte thellë.

Kur flet sot për faktin që mbi 100 fëmijë kanë ardhur në jetë me ndihmën e saj gjatë luftës, ajo përgjigjet thjesht, por me shumë emocion: ndihet shumë e lumtur dhe e gëzuar që ka ndihmuar motrat e tjera në ato ditë të rënda duke theksuar se edhe ato vazhdojnë të jenë mirënjohëse.

Për më tepër, me shumë gëzim, zonja Desku na tregon se me disa prej atyre grave ende takohet, ndërsa disa të tjera e telefonojnë. Siç thotë vetë, gjithmonë i pyet për djemtë dhe vajzat që ka ndihmuar të lindin.

E krejt në fund, mamia Desku me shumë krenari na tregon se shumë prej tyre janë shkolluar në profesione të ndryshme, e disa janë edhe ushtarë në FSK, duke mbrojtur lirinë e Kosovës, liri e fituar, siç thekson ajo, me sakrifica dhe flijime për Atdheun.

Ndër ta, Desku mban mend me shumë dashuri Camërie Kastratin.

“Camëria më shoqëroi mal më mal, në raste të ndryshme të lindjeve, kurse sot, ajo është në Gjermani dhe punon si motër medicinale për të cilën ndihem shumë krenare sot e përgjtihmonë!”

Zonja Sanije Desku me Camërie Kastratin

Mamia Sanije Desku nuk ishte thjesht një përson që përjetoi luftën e fundit në Kosovë, ajo ishte ndihma e parë për shumë gra, mbështetja e mbi të gjitha edhe frymëzimi i së ardhmes.

Fëmijë të cilët përjetuan luftën dhe qënduan nëpër tenda.

Youtube

Arkiva

Kategoritë