Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se kreu i kësaj ministrie, Andin Hoti është takuar me përfaqësuesit e Bankës Botërore.
Sipas njoftimit, temat kryesore që u diskutuan në këtë takim ishin reforma sociale, zhvillimi njerëzor dhe politikat e punës.
“Në takim u diskutua për vizionin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e politikave sociale dhe të punës, me theks në ndërtimin e një sistemi më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe funksional të mbrojtjes sociale.” thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, Michal Rutkowski, Drejtor Rajonal për Zhvillim Njerëzor në Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, informoi Ministrin në detyrë, Andin Hoti lidhur me progresin e Projektit për Reformën e Sistemit të Asistencës Sociale në Kosovë, si dhe për hapat dhe prioritetet kryesore për periudhën e ardhshme.
“Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare vlerëson partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore në avancimin e reformave sociale dhe zhvillimin e politikave që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.” ka thënë tutje kjo ministri.













