Pre, Qer 12, 2026
Banner Top
Banner Top

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, z. Kadri Bytyqi, i shoqëruar nga znj. Florina Berisha, Kryetare e Shoqatës së si dhe z. Ilir Luzha, anëtar i ri i Kuvendit të OFK-së sipas rezultateve preliminare, morën pjesë në diskutimin publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me plotësim-ndryshimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba në Kryeqytet.

Në vazhdim diskutimi i plotë i Kryetarit :

Të nderuar përfaqësues komunal, ju të pranishëm,

Duke marrë parasysh bashkëpunimin shumë të mirë që Odat e Profesionistëve Shëndetësorë kanë pasur me Komunën e Prishtinës gjatë viteve të fundit, e veçanërisht mbështetjen që Komuna i ka dhënë projektit të përbashkët të objektit të Odave të Profesionistëve Shëndetësorë, duhet të them se kemi qenë sinqerisht të befasuar kur kemi parë mënyrën se si janë trajtuar barnatoret në draft-rregulloren për taksat komunale.

Ne besojmë se kemi të bëjmë me një lëshim momental gjatë procesit të hartimit dhe shpresojmë që kjo çështje do të rishikohet para miratimit përfundimtar të rregullores.
Shqetësimi ynë nuk është vetëm financiar.

Shqetësimi ynë është juridik, profesional dhe logjik.

Barnatorja nuk është një biznes tipik tregtar. Barnatorja është institucion shëndetësor. Ajo themelohet, licencohet dhe funksionon sipas legjislacionit të veçantë shëndetësor. Për të hapur një barnatore nuk mjafton regjistrimi i biznesit. Kërkohet farmacist përgjegjës, kushte të veçanta teknike, pajisje specifike, standarde profesionale dhe mbikëqyrje e vazhdueshme nga autoritetet shtetërore.
Prandaj barnatoret nuk mund të trajtohen njësoj si çdo veprimtari tjetër afariste. Ato kryejnë një funksion të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e shëndetit publik dhe janë pjesë e sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, Ligji për Sistemin e Lejeve dhe Licencave kërkon që çdo ngarkesë administrative të jetë proporcionale me rrezikun, me natyrën e aktivitetit dhe me koston reale administrative që krijon për institucionin publik. Në draft-rregullore nuk është paraqitur asnjë analizë e tillë dhe asnjë arsyetim se pse barnatoret duhet të ngarkohen në këtë nivel.
Por ajo që e bën këtë propozim edhe më problematik është krahasimi i drejtpërdrejtë ndërmjet ngarkesave që paguajnë barnatoret ndaj autoriteteve qendrore dhe atyre që po propozohen nga Komuna.

Sot një barnatore paguan gjithsej 500 euro për licencim pesëvjeçar nga autoritetet qendrore. Kjo do të thotë se kostoja mesatare vjetore e licencimit dhe mbikëqyrjes profesionale është vetëm 100 euro në vit.

Për këtë shumë, barnatorja përfiton licencimin, verifikimin e kushteve teknike, kontrollin e stafit profesional, inspektimet farmaceutike, mbikëqyrjen e standardeve profesionale dhe një sërë shërbimesh të tjera që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e ushtrimit të veprimtarisë.

Ndërsa sipas draft-rregullores së propozuar, Komuna kërkon 500 euro taksë komunale në vit. Pra, për një vit të vetëm, Komuna kërkon të njëjtën shumë që autoritetet qendrore kërkojnë për pesë vite të plota licencimi dhe mbikëqyrjeje.

Nëse e shohim në periudhë pesëvjeçare, krahasimi bëhet edhe më i qartë:

  • Autoritetet qendrore: 500 euro për 5 vite;
  • Komuna e Prishtinës: 2,500 euro për 5 vite.

Kjo do të thotë se Komuna kërkon pesë herë më shumë se autoritetet qendrore, ndonëse nuk kryen licencimin e barnatoreve, nuk realizon inspektime farmaceutike dhe nuk mbikëqyr standardet profesionale të ushtrimit të veprimtarisë.

Prandaj shtrohet pyetja logjike: nëse licencimi, kontrolli profesional dhe mbikëqyrja shtetërore e barnatores kushtojnë 500 euro për pesë vite, si mund të justifikohet që vetëm taksa komunale të arrijë në 2,500 euro për të njëjtën periudhë?

Ku është analiza financiare që e arsyeton këtë dallim? Ku është proporcionaliteti që kërkon ligji? Dhe cilat janë shërbimet konkrete që merr barnatorja nga Komuna që justifikojnë një tarifë pesë herë më të lartë se vetë kostoja e licencimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet qendrore?

Dua gjithashtu të theksoj se barnatoret dhe farmacistët kanë treguar vazhdimisht gatishmëri për të qenë partnerë të Komunës së Prishtinës në përmbushjen e misionit të saj në fushën e shëndetësisë.

Madje, në periudha të ndryshme kemi shprehur gatishmërinë tonë që, përmes organizimit vullnetar të farmacistëve, të kontribuojmë edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjatë kujdestarive, jo për përfitim financiar, por me qëllim që të ndihmojmë Komunën në realizimin e kompetencave të saj dhe qytetarët e Prishtinës në ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të tyre.

Pra, qasja jonë ka qenë gjithmonë qasje bashkëpunuese. Ne nuk kemi kërkuar privilegje, por kemi ofruar partneritet. Nuk e kemi parë veten vetëm si subjekte ekonomike, por si pjesë të sistemit shëndetësor që kontribuon drejtpërdrejt në interes publik.

Pikërisht për këtë arsye na ka befasuar fakti që një sektor i cili ka treguar vazhdimisht gatishmëri për të mbështetur institucionet lokale dhe për të ndihmuar qytetarët, sot po përballet me një ngarkesë që jo vetëm është e lartë financiarisht, por edhe vështirë se mund të arsyetohet nga aspekti i proporcionalitetit dhe interesit publik.

Prandaj, për të gjitha arsyet e lartcekura, ju kërkojmë mirëkuptimin që ky draft të tërhiqet nga procedura aktuale, të diskutohet me odat profesionale, me përfaqësuesit e barnatoreve dhe me palët e tjera të interesit dhe vetëm më pas të ndërtohet një zgjidhje e drejtë dhe e arsyeshme.

Ne besojmë se në frymën e bashkëpunimit që kemi pasur deri më sot mund të gjendet një zgjidhje e përbashkët që respekton ligjin, interesin publik dhe realitetin ekonomik të barnatoreve.

Në të kundërtën, si përfaqësues të farmacistëve dhe barnatoreve të Kosovës, do të jemi të obliguar të ndërmarrim të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të anëtarëve tanë, duke përfshirë procedurat pranë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në kuadër të kontrollit të ligjshmërisë së aktit, si dhe procedurat përkatëse gjyqësore.
Ne nuk po kërkojmë privilegje.

Po kërkojmë vetëm proporcionalitet, trajtim të drejtë, respektim të ligjit dhe vazhdim të partneritetit që kemi ndërtuar ndër vite me Komunën e Prishtinës.

Oda e Farmacistëve të Kosovës mbetet e gatshme të marrë pjesë në çdo grup pune apo proces konsultativ që do të mundësonte gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, të ligjshme dhe të pranueshme për të gjitha palët

Youtube

Arkiva

Kategoritë