Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se monumenti Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht në disa prej zonave të saj.
Sipas ministrisë, ky vendim është marrë pas vlerësimeve profesionale që evidentojnë gjendje të rënduar të disa strukturave dhe rrezik potencial për vizitorët.
Zonat me rrezik do të jenë të shënuara dhe të kufizuara deri në një njoftim të radhës.
“Po ashtu, pezullohet menjëherë dhënia në shfrytëzim e hapësirave të kalasë për aktivitete nga organizata, iniciativa kulturore dhe artistë të pavarur, deri në stabilizimin e gjendjes dhe krijimin e kushteve të sigurta.” ka njoftuar kjo ministri.
Teksa është kërkuar mirëkuptimi për këtë vendim, është thënë se publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë dhe për afatet e mundshme të rihapjes.
“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe palëve të interesuara, duke theksuar se ky vendim është në shërbim të ruajtjes së një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë dhe të sigurisë së vizitorëve.” ka përmbyllur Ministria e Kulturës dhe Turizmit













