Vendosja e pacientit në qendër të kujdesit shëndetësor është kyçe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe fuqizimin e të drejtave të tij.
Këtë e theksoi Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) gjatë një trajnimi të organizuar nga IHS (Shërbimet e Integruara Shëndetësore), mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
Hoti vuri në pah rolin e rëndësishëm të mediave në raportimin korrekt dhe etik për shëndetësinë, si dhe rëndësinë e kritikës dhe hulumtimeve për të ndikuar në transparencën e sistemit shëndetësor. “Media është një aleat i fuqishëm në ngritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, duke ndihmuar pacientët të marrin një rol aktiv në trajtimin dhe kujdesin që u takon,” tha ai.
Trajnimi u fokusua në parimet e kujdesit të orientuar nga pacienti dhe ndikimin e tij në shëndetin publik, duke sjellë ekspertë të fushës dhe gazetarë për të diskutuar mbi praktikat më të mira në raportimin shëndetësor.











