Sot ka përfunduar me sukses kursi i programit të Ultrasonografisë Abdominale me Gjeneratën e 19-të, i cili është mbajtur nën mentorimin e doktorit Avni Haziri.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haziri, i cili ka uruar këtë gjeneratë mjekësh për entuziazmin dhe përkushtimin e treguar gjatë trajnimit.
“Një grup fantastik, entuziast, i etshëm për dije! Ju urojmë suksese të mëtejme” ka shkruar Haziri.

Pjesë e kësaj gjenerate ka qenë edhe infektologu Gramoz Bunjaku, i cili e ka cilësuar përfundimin e këtij programi si një përvojë profesionale me vlerë të lartë.
“Qasja e tij e qartë, praktike dhe e bazuar në ekspertizë të thellë e bëri trajnimin jashtëzakonisht efektiv dhe frymëzues, duke përfaqësuar një kontribut të çmuar në avancimin e kompetencave ultrasonografike.” ka shkruar Bunjaku i cili e ka rekomanduar këtë program edhe për kolegët e tij mjekë.
“Programin e rekomandoj fuqishëm për doktorët e mjekësisë, specializantët dhe specialistët e fushës, pasi ishte i strukturuar në mënyrë profesionale dhe përfshiu ekzaminimin ultrasonografik të abdomenit, gjëndrës tiroide, enëve të gjakut dhe pelvikut, duke ofruar njohuri praktike dhe klinikisht lehtësisht të aplikueshme.” është shprehur ai.














