Përbërësi më i fundit që po bën xhiron në rrjetet sociale si “zbulimi” për kujdesin ndaj lëkurës është diçka që gjendet lehtësisht në kuzhinën e çdo shtëpie: soda e bukës.
Healthline raporton se përdoruesit entuziastë pretendojnë se ajo ndihmon për zbardhjen e njollave të errëta, përmirëson tonin e lëkurës dhe pastron aknet. Në TikTok, disa persona e përziejnë sodën e bukës me ujë dhe e vendosin si maskë në fytyrë, ndërsa të tjerë krijojnë produkte të improvizuara me sodë, vaj kokosi dhe vazelinë.
Mbështetësit e këtij truku thonë se vepron si një eksfoliant që jep rezultate të menjëhershme por dermatologët paralajmërojnë se përdorimi i sodës së bukës në lëkurë mund të shkaktojë acarim dhe ndjeshmëri të lartë.
A e zbardh vërtet lëkurën soda e bukës?
Edhe pse soda e bukës mund të duket si një zgjidhje e shpejtë dhe ekonomike për kujdesin e lëkurës, ekspertët paralajmërojnë se efekti mund të jetë më shumë dëmtues sesa ndihmues.
“Nuk ka shumë prova shkencore që mbështesin përdorimin e sodës së bukës në lëkurë,” shpjegon Dr. Pooja Sodha, profesoreshë e dermatologjisë në Universitetin George Washington, për Healthline.
“Ajo që shohim në rrjetet sociale janë disa raste të izoluara me lëkurë të ndritshme ose të pastër, por është e rëndësishme të kuptojmë që pamja e lëkurës ndikohet nga shumë faktorë të tjerë si gjenetika, mënyra e jetesës, gjumi, ushqimi, etj. Të mendosh se një përbërës i vetëm mund të bëjë mrekulli është tepër naive dhe e rrezikshme.”
Një nga pretendimet më të zakonshme është se soda e bukës ndihmon në zbardhjen e njollave të errëta dhe unifikimin e tonit të lëkurës.
“Njerëzit më thonë se pas përdorimit të sodës lëkura u duket më e ndritshme, dhe e kuptoj pse e mendojnë këtë,” thotë Dr. Hannah Kopelman, dermatologe në Kopelman Aesthetic Surgery. “Por në realitet, ajo që ndodh është vetëm një efekt i përkohshëm, pasi hiqen vajrat dhe qelizat e vdekura nga sipërfaqja — ndërkohë që pigmenti i thellë që shkakton njollat nuk preket fare.”
Hipërpigmentimi vjen nga melaninë që ndodhet në shtresat e poshtme të lëkurës — dhe soda e bukës nuk arrin deri aty. Madje, Kopelman shton se përdorimi i saj mund t’i përkeqësojë njollat ose tonin e pabarabartë.
“Në disa raste, kam parë që mund të shkaktojë errësim të mëtejshëm, sidomos te personat me ton mesatar ose të errët të lëkurës,” shton ajo.
A ndihmon soda e bukës kundër akneve?
Për ata që vuajnë nga aknet, ideja për të provuar gjithçka është e kuptueshme — por soda e bukës mund ta përkeqësojë situatën.
“Ajo i than shpejt puçrrat, dhe fillimisht duket sikur funksionon. Por më pas, lëkura shpesh bëhet e kuqe, fillon të zhvishet dhe dalin më shumë akne,” thotë Kopelman.
Kjo ndodh sepse soda është shumë agresive dhe dëmton barrierën natyrale të lëkurës.
“Kur barrierat mbrojtëse dëmtohen, bakteret futen më lehtë dhe shkaktojnë inflamacion. Kujdesi ndaj akneve duhet të jetë i butë dhe i qëndrueshëm, jo i ashpër dhe me metoda shtëpie,” shpjegon ajo.
Edhe Dr. Sodha është dakord.
“Kur aplikohet në lëkurë të shëndetshme, soda e bukës mund të prishë shtresën mbrojtëse me pH acid dhe të heqë yndyrnat natyrale të lëkurës,” thotë ajo. “Pas disa përdorimesh — madje ndonjëherë edhe vetëm pas një here — mund të shfaqet thatësi, ndjeshmëri, skuqje dhe akne më të shprehura.”
Këto efekte anësore mund të përkeqësojnë gjendjen e sëmundjeve kronike si ekzemat apo psoriaza.
Dëmtimi i pH-it të lëkurës
Me përdorim të vazhdueshëm, soda e bukës mund të prishë balancën e pH-it të lëkurës, duke shkaktuar dëme afatgjata.
“Lëkura ka një pH pak acid, që ndihmon të ruajë lagështinë dhe të mbrohet nga bakteret. Soda e bukës është alkalike, dhe kjo e prish këtë ekuilibër,” shpjegon Kopelman.
Pasi kjo ndodh, lëkura bëhet më e thatë, e ndjeshme dhe më e prirur ndaj acarimeve.
“E krahasoj me heqjen e një armature mbrojtëse: lëkura mbetet e pambrojtur dhe gjithçka që më parë nuk e shqetësonte, tani mund të shkaktojë djegie apo skuqje,” shton ajo.
Probleme të tilla me kalimin e kohës mund të bëhen kronike.
“Kam trajtuar persona që pas përdorimit të sodës kishin ndjesi djegieje, kruarje dhe çarje të vogla në lëkurë. Me kohë, kjo lloj acarimi çon në skuqje të vazhdueshme, ndjeshmëri ose njolla që duan muaj për të u larguar,” shpjegon Kopelman.
“Ata që kanë lëkurë të ndjeshme ose janë të prirë për akne, janë veçanërisht të rrezikuar,” përfundon ajo.
Alternativa më të sigurta për kujdesin e lëkurës
Ka shumë alternativa të sigurta dhe me kosto të përballueshme për të mbajtur lëkurën të shëndetshme.
Kopelman sugjeron që rutina e kujdesit ndaj lëkurës të jetë sa më e thjeshtë: “Një pastrues i butë, një hidratues i lehtë dhe krem mbrojtës ndaj diellit çdo mëngjes janë të mjaftueshme.”
Për eksfolim, ajo rekomandon përbërës si acid salicilik, acid glikolik dhe niacinamide — që janë të përballueshëm dhe të mbështetur nga kërkime shkencore.
“E vërteta është që lëkura e shëndetshme nuk vjen nga zgjidhje të shpejta në kuzhinë, por nga kujdesi i rregullt dhe durimi,” thotë ajo.
Nëse ke përdorur sodë buke dhe ke ndjerë ndonjë irritim, ka disa hapa që mund të ndihmojnë.
“Nëse lëkura jote ndjehet e ngushtë, e thatë ose e skuqur pas përdorimit të sodës, ndalo menjëherë dhe përqendrohu në qetësimin e saj,” sugjeron Kopelman.
“Zakonisht u këshilloj të përdorin një pastrues hidratues dhe një krem zbutës me përbërës si ceramide, squalane ose panthenol për të paktën një javë.”
Gjatë kësaj kohe, shmang eksfolimin apo produktet e forta.
Nëse lëkura nuk përmirësohet, Kopelman këshillon të konsultohesh me një dermatolog për të trajtuar inflamacionin dhe për të ndihmuar në rikuperimin e lëkurës. /Healthline/












