Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
DKA në Vushtrri organizoi panel diskutimi mbi gjithëpërfshirjen dhe sfidat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë

Sot Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vushtrrisë nën patronazhin e kësaj komune, organizoi një panel diskutimi me temën “Përtej barrierave: sfidat dhe mundësitë për një Kosovë më gjithëpërfshirëse”.
Ky panel u mbajt në nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Në këtë panel morën pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, universitetet, policia, institucionet e po ashtu edhe nga mediat.

Gjatë diskutimit, Albanez Tahiraj, Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, theksoi se personat me aftësi të kufizuara duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt e assesi si individë të nënvlerësuar apo të margjinalizuar.

Kreu i DKA-së gjithashtu u bëri thirrje të gjithë prindërve që të mos i fshehin rastet e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe në asnjë rrethanë të mos i stigmatizojnë fëmijët e tyre.

Pjesë e tryezës së diskutimit ishte edhe gazetarja dhe drejtoresha e produksionit “Familja Jonë”, e cila theksoi se as institucionet shtetërore dhe as mediat nuk duhet të mjaftohen me rezultatet e deritanishme.

Ajo theksoi se gjithmonë duhet të synohet përparim dhe zhvillim më i qëndrueshëm, duke u fokusuar në politika dhe praktika që sigurojnë përfshirjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe edukative.

Sipas saj, në të ardhmen nuk duhet të diskutohet më për nevoja themelore apo për zbatimin e ligjeve që garantojnë të drejtat bazike të këtyre personave, pasi këto duhet të jenë të garantuara dhe të respektuara në mënyrë të qëndrueshme.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile për të siguruar që avancimi dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara të jetë një prioritet i vazhdueshëm.

Lidhur me këtë temë, Bujupi Rama theksoi si shembull emisionin “Familja Jonë”, duke potencuar se është e rëndësishme që shoqëria t’u japë hapësirë shembujve pozitivë dhe historive të suksesit dhe jo të raportohet vazhdimisht vetëm për aspektet negative apo për anën pesimiste të gjërave.

Gjatë diskutimit u përmendën disa probleme kryesore që ndikojnë në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara. U theksua se ata përballen me vështirësi në qasjen e shërbimeve shëndetësore, ndërkohë që numri i vogël i asistenteve e vështirëson edhe më tej marrjen përkujdesjes dhe ndihmës së nevojshme.

U tha po ashtu se shërbimet ekzistuese shpesh janë të fragmentuara dhe nuk funksionojnë brenda një sistemi të qëndrueshëm, gjë që e bën më të vështirë mbulimin e nevojave të personave me aftësi të kufizuara.

Në diskutim u përmend gjithashtu mungesa e mundësive për punësim për personat me aftësi të kufizuara, si dhe vështirësitë në qasjen në ndërtesa dhe hapësira publike, gjë që e kufizojnë lirinë dhe përfshirjen e tyre në shoqëri.

Në përfundim, u tha se nuk mjafton të bëhen vetëm deklarata të mira ose angazhime formale ku u theksua nevoja që institucionet dhe aktorët relevantë të ndërmarrin veprime konkrete dhe të krijojnë mekanizma funksionalë që sjellin progres të dukshëm dhe përmirësim real në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Youtube

Arkiva

Kategoritë