Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Kancerit, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ministri Vitia u prit nga drejtuesit e QKUK-së dhe ShSKUK-së, si dhe nga stafi shëndetësor, me të cilët u informua nga afër për proceset e punës dhe shërbimet që u ofrohen pacientëve onkologjikë.
Gjatë vizitës, ministri vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit mjekësor dhe infermieror, duke theksuar rëndësinë e ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të vazhdueshme për pacientët me sëmundje malinje.
Ai theksoi se investimet në infrastrukturën e Klinikës së Onkologjisë kanë ndikuar në rritjen e kapaciteteve trajtuese dhe përmirësimin e shërbimeve për pacientët, duke nënvizuar se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të ketë fokus sëmundjet malinje përmes rritjes së buxhetit për shtimin e pajisjeve diagnostike dhe terapeutike, zgjerimit të terapive target dhe modernizimit të sektorit farmaceutik.
Ndërkohë, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, dr. Ilir Kurtishi, prezantoi të dhëna për shërbimet e ofruara gjatë vitit 2025. Gjatë këtij viti janë ofruar mbi 408,000 shërbime onkologjike, janë regjistruar më shumë se 2,040 raste të reja me kancer, si dhe janë realizuar mbi 100,000 përgatitje të barnave onkologjike, përfshirë kimioterapi, terapi target dhe imunoterapi.
Në fushën e radioterapisë, Klinika ka ofruar mbi 56,000 shërbime radioterapeutike, duke siguruar vazhdimësi të trajtimit për pacientët onkologjikë në nivel vendi.
Këto të dhëna dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të stafit të Klinikës së Onkologjisë dhe përkushtimin institucional për ofrimin e shërbimeve onkologjike cilësore dhe të standardizuara.












