Hudhra, alkooli, mishi dhe madje edhe agjërimi mund të ndikojnë në aromën e trupit tonë dhe në mënyrën se si na perceptojnë të tjerët.
Secili prej nesh ka një aromë unike, pothuajse njëjtë si shenjat e gishtave. Gjithçka, nga tipi ynë i personalitetit si ekstroversioni, dominanca apo neuroticizmi deri te gjendja shpirtërore dhe shëndeti ynë, ndikon në mënyrën se si neve na vie era.
“Dekadat e fundit kanë treguar se aroma formohet nga gjenet, hormonet, shëndeti dhe higjiena jonë,” thotë Craig Roberts, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin e Stirling në Skoci. “Pavarësisht nëse jemi burra apo gra, të rinj apo të moshuar, heteroseksualë apo homoseksualë, dominues apo të nënshtruar, në ovulim apo shtatzënë, të sëmurë apo të shëndetshëm, të lumtur apo të trishtuar.”
Shumë prej këtyre faktorëve janë jashtë kontrollit tonë, por jo të gjithë. Një ndikim i madh në aromën tonë është ushqimi që hamë. Ai ndikon jo vetëm në aromën e përgjithshme të trupit, por edhe në mënyrën se si të tjerët na perceptojnë, përfshirë këtu edhe sa tërheqës dukemi.
Frymëmarrja dhe djersa
Në nivel biologjik, ushqimi ndikon në aromën e trupit në dy mënyra kryesore, thotë Lina Begdache, profesoreshë e studimeve të shëndetit dhe mirëqenies në Universitetin e Nju Jorkut në Binghamton. Këto janë zorrët dhe lëkura.
Së pari, zorra. Ndërsa tretni ushqimin, bakteret e zorrëve punojnë për ta përpunuar atë. Disa nga ndërveprimet mes kimikateve ushqimore dhe baktereve çlirojnë gaze, molekula të paqëndrueshme që dalin nga trupi në të njëjtën mënyrë si ushqimi që hyri. Kjo mund të shkaktojë erë të keqe në gojë, veçanërisht në varësi të ushqimit që konsumoni.
Studimet tregojnë se rreth një e treta e të rriturve në botë vuajnë nga ndonjë formë e halitozës, megjithëse jo gjithmonë për shkak të tretjes.
Së dyti, lëkura. Përbërësit kimikë nga ushqimi, pasi përpunohen nga trupi, qarkullojnë në gjak dhe në inde të ndryshme. Disa përfundojnë duke u nxjerrë përmes djersës, ku ndërveprojnë me bakteret e lëkurës dhe krijojnë aromë. (Në vetvete, djersa nuk ka erë – janë bakteret që jetojnë në të që e bëjnë të vie erë e keqe.
Ushqimet kanë përbërje të ndryshme kimike që ndikojnë në nivele të ndryshme të aromës. Megjithatë, ato që japin rezultatet më të forta kanë zakonisht një fajtor të përbashkët: squfurin. Por disa studime sugjerojnë se këto komponime të erëta mund të na bëjnë më tërheqës në mënyrë të papritur.
Frutat dhe perimet
Broccoli, lakra, lakra e Brukselit dhe lulelakra janë shumë të pasura me përbërje squfuri, të cilat mund të kujtojnë aromën e vezëve të prishura. Kur këto komponime qarkullojnë në gjak dhe ndërveprojnë me bakteret e lëkurës, djersa merr një aromë të fortë, thotë nutricionistja Kerry Beeson.
Ushqimet nga familja e alliumeve, si hudhra dhe qepët, ndikojnë në aromën e djersës dhe të frymës për të njëjtin shkak: kur treten, ato shpërbëhen në komponime me erë të fortë si dialil disulfidi dhe alil metil sulfidi. Ky i fundit arrin kulmin në aromë rreth 30 minuta pas konsumimit.
Megjithëse hudhra e bën frymën t’i vie erë e keqe, studimet kanë treguar se ajo e bën aromën e trupit më tërheqëse. Në një eksperiment, 42 burra mbanin jastëkë nën sqetulla për 12 orë pas konsumimit të sasisë së ndryshme të hudhrës, dhe 82 gra i vlerësuan aromat për kënaqësi, tërheqje, maskulinitet dhe intensitet. Burrat që kishin konsumuar shumë hudhër u perceptuan si më tërheqës.
“Këtë studim e kemi përsëritur tre herë sepse u habitëm nga rezultati,” thotë shkencëtari Jan Havlíček nga Universiteti Charles në Çeki. Ai beson se vetitë antioksiduese dhe antimikrobike të hudhrës, që përmirësojnë shëndetin, mund të jenë arsyeja pse aroma perceptohet më e këndshme.
Disa perime kanë efekte të veçanta. Asparagu prodhon një acid të quajtur asparaguzik, i cili pas tretjes çliron komponime squfuri që i japin aromë të veçantë djersës dhe urinës. Këto aroma zakonisht zgjasin disa orë. Jo të gjithë njerëzit e prodhojnë ose i perceptojnë këto aroma, pasi kjo varet nga gjenetika.
Në përgjithësi, ngrënia e më shumë frutave dhe perimeve lidhet me aromë më të këndshme të trupit. Një studim australian i vitit 2017 zbuloi se burrat që konsumonin më shumë fruta e perime kishin aromë më të ëmbël dhe më tërheqëse.
Gjithashtu, lëkura më e verdhë nga karotenoidet (nga karotat, kungujt, domatet dhe papajat) perceptohej si më tërheqëse. Por dieta që përfshin pak yndyrë, mish, vezë dhe tofu lidhej gjithashtu me aromë më të këndshme, ndërsa dietat e pasura me karbohidrate jepnin aromën më pak tërheqëse.
Mishi dhe peshku
Mishi dhe peshku mund të shkaktojnë aromë karakteristike sepse proteinat shtazore shpërbëhen në aminoacide dhe yndyra që nxirren përmes djersës dhe ndërveprojnë me bakteret e lëkurës.
Peshku dhe bishtajoret përmbajnë trimetilaminë, një përbërje me erë shumë të fortë. Në raste të rralla, njerëzit mund të kenë një gjendje të quajtur trimetilaminuri (“sindroma e erës së peshkut”), kur trupi nuk e përpunon këtë substancë dhe për pasojë djersa merr erë peshku.
Një studim i vitit 2006 nga ekipi i Havlíček analizoi 30 burra me dietë me mish dhe pa mish për dy javë. Gratë i vlerësuan aromat e tyre dhe doli se burrat me dietë pa mish kishin aromë më të këndshme, më tërheqëse dhe më pak intensive. “U habitëm, sepse prisnim që mishi të mos ndikonte negativisht,” thotë Havlíček, “por në evolucionin e hershëm njerëzor, askush nuk hante mish çdo ditë si sot.”
Alkooli dhe kafja
Alkooli, sidomos kur konsumohet rregullisht dhe në sasi të mëdha, mund të shkaktojë erë të keqe nga goja dhe nga djersa. Kur trupi e përpunon, ai liron acetaldehid – një përbërje toksike me aromë karakteristike alkooli të vjetër. Për më tepër, alkooli dehidraton dhe ul sasinë e pështymës, duke lejuar bakteret të shumëzohen në gojë dhe të shkaktojnë erë të keqe.
Studimet kanë treguar se njerëzit që konsumojnë alkool çdo ditë kanë përqendrime më të larta të komponimeve squfuri në frymën e tyre.
Kafeina në kafe dhe çaj stimulon gjëndrat apokrine, që prodhojnë djersë në zonat e sqetullave dhe ijëve. Kjo rritje e djersitjes krijon kushte më të favorshme për bakteret, duke bërë që aroma e trupit të forcohet. Studimet kanë treguar gjithashtu se molekulat e kafeinës mund të dalin përmes djersës, megjithëse ende nuk dihet nëse ajo ndikon drejtpërdrejt në aromën e trupit.
Aroma dhe tërheqja sociale
“Ne jemi gjitarë, dhe si të gjithë gjitarët, aroma ka padyshim një rol të rëndësishëm në ndërveprimin shoqëror,” thotë Roberts.
Sidoqoftë, aroma është vetëm një nga shumë faktorët që ndikojnë në tërheqjen. Është pothuajse e pamundur të ndash efektin e aromës nga faktorë si pamja, sjellja dhe mënyra e komunikimit.
Por edhe kur shkencëtarët përpiqen ta matin saktësisht, rezultatet shpesh dalin kontradiktore. Në një studim tjetër, Havlíček zbuloi se gratë që kishin agjëruar për 48 orë kishin aromë më tërheqëse të djersës se ato që kishin ngrënë normalisht, megjithëse fryma e tyre mbante erë më të keqe.
Në fund, studiuesit bien dakord për një gjë: nuk ka një formulë të qartë se si ushqimi ndikon në aromën e trupit. Ka shumë ndryshime nga personi në person. “Ka shumë komponime aromatike dhe për shumicën e tyre ende nuk dimë si ndikojnë në aromën tonë, por me shumë gjasë ndikojnë,” përfundon Havlíček.













