Punëtorët shëndetësorë kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Ata kanë kërkuar rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari 2022.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka thënë para mediave që Qeveria duhet të jetë transparente dhe bashkëpunuese në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik.
Ai ka paralajmëruar edhe grevë në rast se nuk u plotësohet kërkesa e tyre brenda javës.
“Kohë me parë ne e bëmë një protestë simbolike ne shpresë që presidentja dhe kryeministri do të reflektojnë dhe të na ftojnë në bisedime sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve por ndodhi e kundërta. Brenga e vetme për neve është Ligji i Pagave. Kemi dal ti lajmërojmë se nëse ligji i pagave nuk shkon këtë vit, kjo protestë do të kthehet edhe në reagime më të ashpëra sindikale. Edhe një javë do të presim, nga java e ardhshme nuk garantoj që nuk do të fillohet me bllokimin e sistemit shëndetësorë”, ka thënë Syla.
Ai ka shtuar se është në dorën e Qeverisë që të vendos për këtë. Në përfundim të protestës ata zhveshën mantillët në shenjë pakënaqësie.