Klinika e Radiologjisë është ndër klinikat që nuk i kanë ndërprerë shërbimet për pacientët ambullantorë. Kësisoj, vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, kjo klinikë ka kryer 6 768 rezonanca magnetike, më shumë se në vitin 2018, ku atëherë ishin kryer 5 826 rezonanca magnetike.
Drejtori i kësaj klinike, Bujar Gjikolli në një intervistë për Ekonomia Online, ka folur për punën që janë bërë gjatë pandemisë, me theks të veçantë në shërbimet të pacientëve me Covid-19.
“Ne me projektet e ndryshme që kemi realizuar në tre vitet e fundit, kemi rregulluar kushtet e punës për teknik, për radiolog dhe për pacientë, dhe kjo na ka lehtësuar punën në ballafaqimin me pandeminë. Kur e kam marrë mandatin unë, ne paradite kemi bërë 20-30 radiografi, ndërsa tani ka dy vite që vetëm paradite i kryejmë deri në 300. Vitin e kaluar brenda 24 orëve kemi kryer 700 radiografi. Momentalisht këto dy javët e fundit, i bëjmë prej 263-272 radiografi, vetëm paradite”, tha Gjikolli, teksa thotë se në këto shërbime futen edhe pacientët të cilët janë me Covid-19.
Gjikolli thotë se ndër klinikat që nuk i kanë ndërprerë shërbimet për ambullanta është edhe Klinika e Radiologjisë, duke shtuar se në disa shërbime punojnë edhe 24 orë në ditë.
“Po jemi e vetmja Klinikë që nuk i kemi ndërprerë shërbimet për pacientë ambullantorë. Kështu që ne shumë shërbime ne punojmë 24 orë në ditë. Në vitin 2018 janë bërë 5826, në vitin 2019 janë bërë 9800, më 2020 11300, ndërsa vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti të këtij viti janë bërë 6768 rezonanca magnetike, pra vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti kemi punuar më tepër sesa gjatë vitit 2018”, u shpreh Gjikolli.
Klinika e Radiologjisë është ndër klinikat që ka dhënë kontribut enorm në mirëqenien sociale dhe financiare të pacientëve duke iu ofruar shërbime dhe ulur nevojat për shpenzime financiare në klinikat private me vlera milionëshe në total.
“Po ne vlerat i dimë. Nëse i llogarisim 12 mijë rezonanca magnetike që janë bërë nga 150 euro, kapin shifrën e mbi 1 milion e gjysmë. Një biopsi kushton 250-300, ne kemi bërë vetëm vitin e kaluar 372 biopsi, pra për të gjitha këto shërbime ne nuk i kemi ndërprerë”, u shpreh Gjikolli.
Pos investime që kërkon të bëhen në këtë Klinikë, Gjikolli shpreson që të bëhen edhe në spitalet rajonale, teksa thotë se kjo do të ulte shpenzimet e pacientëve.
“Klinika jonë ka gjithmonë nevojë për investime. Një rezonancë magnetike është blerë para dy viteve. Në anën tjetër ne kemi nevojë për TK dhe aparate të ultrazërit, kemi blerë TK angjiografi e re, e cila po punon shumë mirë. Kemi nevojë që investimet të bëhen në spitalet rajonale, që edhe atje të pajisen me aparaturë moderne, që të zvogëlohen shpenzimet e udhëtimit të pacientëve”, u shpreh ai, teksa shtoi se për të gjitha këto shërbime janë larguar edhe lista e pritjes.
Klinika e Radiologjisë në gjashtë mujorin e parë ka shërbyer gjithsej 82 655 pacient, raporton EO.
Nga numri prej 6 768 pacientëve të imazhuar me RM gjatë fundjavave janë kryer 1 542 që i bie 22.78% e vlerës totale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 dhe 26.5% e vlerës totale numri të pacientëve të imazhuar gjatë vitit 2018.
Poashtu janë realizuar 12 133 TK në gjashtë mujorin e parë prej të cilave 852 TK angjiografi.
Me këto tempo deri në fund të këtij viti mund të pritet të tejkalojmë numrin prej 13 000 pacientëve të imazhuar me RM në vit.
Burimi: Ekonomia Online