OLYMPIA, Wash. (AP)- Më shumë se 94% e rasteve të fundit të vdekjeve dhe shtrimeve nëpër spitale nga COVID-19 në Uashington kanë qenë në mesin e njerëzve jo të vaksinuar plotësisht, sipas një raporti të ri nga Departamenti i Shëndetësisë së shtetit.
Të dhënat e publikuara të mërkurën tregojnë se midis shkurtit dhe qershorit, banorët 12 vjeç e lart, që nuk ishin plotësisht të vaksinuar, përbënin rreth 97% të rasteve të COVID-19, 96% të shtrimeve në spital dhe 94% të vdekjeve në këtë shtet, raportoi The Seattle Times.
“Raporti nënvizon edhe një herë nevojën që njerëzit të vaksinohen tani, nëse nuk e kanë bërë tashmë”, thanë zyrtarët shëndetësorë në një njoftim për shtyp.
“Nëse ata (qytetarët) kanë ende pyetje, ne i inkurajojmë ata që të flasin me ofruesin e tyre të kujdesit shëndetësor. Ne të gjithë kemi një rol për të mbrojtur komunitetin tonë, veçanërisht ata që janë më të rrezikuar”, tha sekretari shtetëror i Shëndetësisë, Umair A. Shah, në një deklaratë, transmeton Familja Jonë.
Varianti delta, më ngjitës sesa variantet e tjera të koronavirusit të shfaqura më herët, përbën më shumë se 90% të rasteve të reja të të prekurve me koronavirus, sipas zyrtarëve shtetërorë. Këto të dhëna janë marrë nga Sistemi i Raportimit të Sëmundjeve në Uashington dhe Sistemi i Informacionit të Imunizimit të Uashingtonit.
Të dhënat do të përditësohen çdo javë, duke dalë kështu me raporte javore që tregojnë kushtet e atyre që nuk janë tërësisht të vaksinuar
“Jo plotësisht të vaksinuar” cilësohen ata persona që ende nuk e kanë marrë asnjë dozë të vaksinës ose e kanë vetëm njerën nga dozat e obligueshme. /familjajone