Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Rrëfimi i nënës: “Më ushqeve çdo ditë të javës me gënjeshtra”

I dashur ankth!

Depresioni i pas lindjes është shumë i pranishëm pothuajse të çdo grua kur bëhet nënë. Disa e përjetojnë më lehtë, disa aq rëndë sa që kalojnë deri në ankth… Në një ankth ku jeta iu merr kahje tjetër, plotë sfida, humbje motivimi e vetëbesimi.
Por më përkrahjen e familjes, me vendosmërinë tuaj, dhe me dashurinë magjike të fëijës që keni në krahë, ju mund të ia dilni.
Më poshtë e keni rrëfimin e një nëne e cila u “kacafyt” fuqishëm me ankthin.

Shkruar nga: Besime Imeri Ajeti

Jam përsëri unë… U trishtove që të thira.
Do maresh dhe shumë trishtime e grushta nga unë!
Ashtu siç mora unë goditjet tua të pa mëshirshme.
Ti je gënjeshtar!
E vetmja e vërtetë mes meje dhe teje ka qenë që ti ishe në trupin tim, e unë të mbajta pa vetëdije për dëmin që po më bëje…. Po, unë kisha ankth!
Çdo gjë tjetër ishte gënjeshtër. Gënjeshtër!
Më ushqeve çdo ditë të javës me gënjeshtra. Më ushqeve plotë dy vite me gënjeshtra.
Ushqeve trurin tim me gënjeshtrën se unë nuk isha mirë. Se unë nuk isha një nënë e denjë për bijën time, nuk isha grua e mirë për bashkëshortin tim, nuk isha shoqe e mirë, nuse e mirë…
Jo vetëm që ushqeve trurin tim me gënjeshtra, por ti më bëre deri në atë gjendje sa me kapte paniku në mes të natës, çohesha duke bërtitur e duke qarë se do më ndodhë diçka mua, vajzës sime apo bashkëshortit tim!
Kisha frikë të zgjohesha në mëngjes sepse nuk e dija cila do zgjohesha dhe në do luftoja me ty përsëri.
Do ti nxjerr të gjitha të bëmat e tua në shesh! Nuk do mbaj asgjë të fshehtë më. Do rrëfehem për çdo gjë dhe po, do jem unë ajo që do të të bëjë tani të flasësh me vetën dhe mos të dish të maresh frymë!

Të kujtohet paniku që më bëre kur Dilara ishte sëmurë?
Ajo ishte një vajzë e vogël, ishte e sëmurë. Kishte nevojë më shumë se kurrë për mua dhe kujdesin tim. Ti as atëherë s’më le të qetë. Hyre në mes të shpirtit nënë-bijë.

Po paniku i radhës në banje, të kujtohet teksa bëja dush dhe për një sekondë më bëre të besoj se po më ndalet frymëmarrja dhe sikur do vdisja! Fillova të bërtas, të qaj, ti bie derës, të kërkojë ndihmë….dhe ashtu rashë pa ndjenja për 4 orë.

Po momentet që më shkaktoje debate me bashkëshortin i mbanë mend?
Në këto debate më ke konsumuar shumë dhe më ke bërë të ndihem e humbur, monster!

Dhe tani më thash mjaft! Mjaft më!
Kisha dy mundësi: TË FITOJA OSE TË HUMBISJA!
Zgjodha të fitoj dhe u gëzova shumë për vetën time që kisha tani me një zgjidhje.

Fillimisht nuk dija ku të shkoja të kërkoja ndihmë dhe çfarë të bëja.
Di vetëm që i jam përgjëruar bashkëshortit tim që të më nxjerr nga ky kazani ytë ku ziheshin e gatuheshin me mijëra gënjeshtra.
Zgjodhëm të shkonim në mjek
POOO….2:1 PËR MUA TANI
I falënderohem pa fund shkencës që me anë të medikamenteve më ndihmuan të ngrejë kokën dhe të të shoh drejt në sy.
Po, kam mare pilula çdo ditë, nuk jam e varur tani por kam qenë, dhe pikërisht këto pilula të vockla, të bardha më bënë të ballafaqohem me ty.
POOO 3:1 PËR MUA

Tani më erdhi koha të vishja petkun tim të vërtetë, të shtrëngoja këmbët dhe dhëmbët dhe të mësoja që këto gënjeshtra nuk ishin aq të forta sa unë.

Unë arrita ti thyej ato dhe jam shumë krenare për veten time.

Vazhdon….

Unë jam këtu dhe po shprehem këtu për t’ju thënë që ju mund të luftoni. Ju mund të luftoni gënjeshtrat dhe të jetoni në një jetë prej vërteti.
Kjo është vërteta ime, rrëfimi im. Kjo mund ti ndodhë çdokujt. Mund të jetë e vërteta juaj.
Ju jeni të forta. Nuk jeni vetëm. Asnjëherë.
Nëse njihni dikënd që vuan nga ankthi, tregoni dhe thuani që nuk janë vetëm dhe që mund t’ia dalin.
Shumë dashuri për ju, Besa. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë