Vaksinimi i autoriteteve shëndetësore dhe i popullatës ka bërë që të kemi ulje të rasteve me COVID-19.
Deri në fund të këtij viti synohet që të vaksinohet 60 për qind e popullatës.
Drejtori i Shëndetësisë së Prishtinës Dr. Bujar Gashi ka bërë të ditur për portalin Familja Jonë, se numri i të vaksinuarve sa i përket stafit mjekësorë është rreth 80%.
“Stafi mjekësorë, janë vaksinuar rreth 80% pjesa tjetër janë me covid-19 ose edhe që janë në 3 mujorin e parë pas virusit COVID-19, ndërsa numri i stafit mjekësorë që janë vaksinuar është rreth 650”, bën të ditur Gashi.
Tutje, ai shton se nuk ka pasur përzgjedhje nga stafi mjekësorë sa i përket vaksinave.
“Nuk kemi hasur në refuzime ose përzgjedhje të vaksinës nga stafi mjekësorë”, thotë Gashi.
Ndërsa, ai tregon se edhe pse kemi ulje të rasteve me COVID-19, shërbimet vazhdojnë të jenë të ngjashme nuk ka ndonjë lëvizje të madhe.
“Numri i shërbimeve shëndetësore në kujdesin parësor në Prishtinë, është rreth 8000 shërbime në ditë, kështu që nuk ka ndonjë lëvizje të madhe dhe nuk vërehët a ka apo nuk ka pacient me COVID-19”.
Drejtori i Shëndetësisë së Prishtinës, është shprehur se ankesat pas vaksinimit janë të zakonshme.
“Kemi pasur ankesa të njohura, të cilat duhet të merren si normale dhe jo si të pazakonta”.
Gashi, bën thirrje që qytetarët të vaksinohen pasi sa më shumë të rritet numri i të vaksinuarve aq më shpejt do të kthehemi në normalitet, pandemia do të jetë nën kontroll dhe gjasat që të kthehemi në normalitet të jenë të mëdha.
Ndryshe, gjiganti farmaceutik Pfizer të shtunën ka konfirmuar, marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19. Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.
Kurse, Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se në Kosovë kanë arritur 100.620 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech. Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grupmosha 65-79 vjeç. /FamiljaJonë/