Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Sëmundja e zemrës- Pse shfaqet, trajtimi, masat dhe simptomat e saj

Altina Marmullaku

Zemra si organ muskulor luan rolin e pompës e cila e shtyn gjakun në qarkullim. Zemra, arteriet, venat dhe kapilarët formojnë sistem të mbyllur të gjakut.

Gjinia më e rrezikuar nga kjo sëmundje thuhet të jenë meshkujt.

Mirëpo, çfarë është sëmundja e zemrës dhe si duhet të trajtohet, cilat janë sëmundjet më të shpeshta të sëmundjes së zemrës, gjatë një interviste për portalin Familja Jonë, kardiologu Gëzim Berisha na informon për këto e shumë të tjera.

Familja Jonë: Çfarë është sëmundja e zemrës dhe si duhet të trajtohet?

Gëzim Berisha: Termi sëmundje të zemrës, është një termë i gjërë që përfshinë një numër të madh të patologjive të zemrës. Më të shpeshtat janë sëmundjet e damarëve të zemrës (sëmundjet e arterieve koronare), sëmundjet e valvulave të zemrës, sëmundjet e muskulit të zemrës që quhen kardiomipati (trashjet e mureve të zemrës apo zgjerimi i zemrës), sëmundjet e lindura të zemrës (psh vrimat në zemër), infeksionet e zemrës etj.

Trajtimi është i ndryshëm varësisht nga sëmundja. Trajtimi i tyre, fillon që nga promovimi i një stili të shëndoshë të jetës, pastaj mund të vazhdohet me barna, trajtimi me ndërhyrje kirugjikale, trajtimi me stenta, trajtimi me implantim të aparaturave të ndryshëm, siç janë bateriat në zemër, defibrilatorët etj. Në rastet më të rënda trajtimi i vetëm mbetet transplanti i zemrës.

Familja Jonë: Cila gjini është më e rrezikuar nga sëmundjet e zemrës?

Gëzim Berisha: Deri në menopauzë, femrat janë më pak të prekura sesa meshkujt e moshës së njëjtë. Pas menopauzës barazohen gjasat për prekje nga sëmundjet e zemrës në mes të meshkujve dhe femrave.

Familja Jonë:Pse na shfaqen sëmundjet e zemrës dhe tek cilat mosha janë të shfaqura më shumë?

Gëzim Berisha: Askush nuk është i kursyer nga sëmundjet e zemrës, të gjithë mund te preken nga to.

Në  shfaqjen e sëmundjeve të zemrës ndikojnë kombinimi i  faktorit gjenetik-trashëgëmia dhe faktorëve të ambientit të jashtëm. Faktorët e riskut janë disa faktor që ndikojnë fuqishëm në prezencën e sëmundjeve të zemrës. Sa ma shumë faktor të tillë risku që ka një pacient aq më të larta do të jenë gjasat që personi në fjalë të preket nga këto sëmundje.

Faktorë të tillë janë: duhani, ushqimi, alkoholi, shtypja e lart e gjakut, diabeti, yndyrat e larta, mbipesha trupore,mungesa e aktivitetit fizik,  stresi etj.

Mosha  poashtu  është faktor i riskut për sëmundje kardiake. Sa  më i moshuar të jetë një njeri aq më të larta janë gjasat që ai të preket nga sëmundjet e zemrës. Pas moshës 46, risku rritet në mënyrë të dukshme.

Familja Jonë: Çfarë masash duhet të merren për të parandaluar sëmundjet e zemrës?

Gëzim Berisha: Disa sëmundje të zemrës që kanë bazë të fortë gjenetike nuk mund të parandalohen dhe nuk mund të bëhet asgje në shfaqjen e tyre. Por tek pjesa dërmuese e sëmundjeve të zemrës, mund të bëhet shumë në parandalimin e tyre duke mos pirë duhan, duke mos pirë alkohol, duke bërë aktivitete fizike të përditshme, duke mbajtur peshë trupore normale, duke mbajtur nën kontroll yndyrnat dhe sheqerin në gjak, duke eleminuar stresin etj.

Familja Jonë: Cilat janë simptomat klinike që shoqërojnë atakun kardiak?

Gëzim Berisha: Ataku kardiak apo infakti i zemrës paraqitet si pasojë e bllokimit të njërës nga arteriet e zemrës të quajtura arteriet koronare. Simptomat e tilla janë dhimbje e gjoksit të karakterit kryesisht shtrëngues, shtypës apo djegës. Kjo dhimbje mund të reflektoj nga nofulla e poshtme, dora e majtë, kah barku apo shpina varësisht cila pjesë e zemrës është prekur nga ataku kardiak. Përpos, dhimbjes pacienti mund të ketë djerësitje të ftofta, mundim për vjellje dhe vjellje, rrahje të çrregullta të zemrës, frymëzënje etj.

Familja Jonë: A është ataku kardiak sëmundje e trashëgueshme?

Gëzim Berisha: Infrakti kardiak ka bazë gjenetike prandaj paraqitet shumë më shpesh në disa familje. Mirëpo, faktori gjenetik vie më shumë në shprehje kur pacienti ka më shumë faktor rreziku për sëmundje të zemrës të paraqitura tek pyetja nr 3./FamiljaJonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë