Klinika e Gastroenterologjisë në QKUK, ku bëhen kontrollet e zorrëve dhe lukthit, është pajisur me gastroskopin e dytë, pajisje kjo me anë të të cilit diagnostikohet trakti i sipërm tretës.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, njoftoi që në këtë klinikë për disa vite ka pasur mungesë të kësaj pajisje.
“Vitin e kaluar ne intervenuam menjëherë duke blerë një gastroskop dhe një kolonoskop që të rinisim këtë procedurë për qytetarët në nevojë.
Kurse sot, kësaj klinike ia dorëzuam edhe gastroskopin e dytë brenda një viti për të shtuar dinamikën e punës.
Shpejt presim të vijë edhe gastroskopi i tretë që ta modernizojmë akoma këtë shërbim.
Nga blerja e pajisjeve të reja do të përfitojnë edhe klinikat tjera të QKUK-së, që listat e pritjes për pacientë të shkojnë drejt eliminimit dhe që qytetarët të marrin shërbime dinjitoze.”, tha Ismaili.