Melbourne, qyteti në epiqendrën e epidemisë së coronavirusit në Australi do të largojë masat e bllokimit, pasi autoritetet thonë se nuk u identifikua asnjë rast dhe asnjë viktimë nga COVID-19 për herë të parë në më shumë se katër muaj.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, kryeministri i Victorias, Daniel Andreës, tha se duke filluar të martën në ora 11:59 pasdite, banorët e qytetit të Melbourne do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre si dhe shumica e bizneseve në vend mund të rihapen mirëpo me numër të kufizuar të njerëzve.
“Me zero raste si dhe kaq shumë testime, mund të themi se tani është koha për t’i larguar masat”, u shpreh Andreës.
Rezultati i tanishëm vjen vetëm disa muaj pasi Andreës e shpalli një gjendje katastrofe në vend për të ndaluar shpërthimin e ri.
Derisa Australia lehtëson masat, shumë vende evropiane kanë filluar me zbatimin e tyre për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Këto masa vijnë pasi kontinenti po përballet rëndë me pandeminë, më keq se sa në valën e parë.
Ndërkohë, përveç vendeve evropiane edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan ditëve të fundit rritje të dukshme të rasteve me coronavirus duke tejkaluar edhe rekordin më të lartë të muajit korrik.
SHBA regjistroi më 23 tetor më shumë se 81 mijë infeksione të reja, ndryshe më 24 korrik ku raportoi 79 mijë të prekur, asokohe shifra më e lartë e arritur ndonjëherë vend. /Familjajonë/