Mër, Nën 25, 2026
Banner Top
Banner Top
AGK organizon trajnim për gazetarët mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe raportimin e përgjegjshëm medial

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, ka organizuar një trajnim për gazetarët me temën “Mbrojtja e fëmijëve dhe raportimi i përgjegjshëm medial”.

Trajnimi është mbajtur në SOS Fshat dhe është fokusuar në rëndësinë e raportimit etik dhe të ndjeshëm në rastet që përfshijnë fëmijët, duke vënë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe privatësisë së tyre.

Sipas njoftimit të AGK-së, trajnimi është hapur nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i cili ka theksuar rolin e mediave në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si dhe rëndësinë e raportimit të përgjegjshëm.

Trajnimi është udhëhequr nga Ariana Shala, Këshilltare Nacionale për Sigurimin e Cilësisë, Fuqizimin e Familjes dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.

Gjatë aktivitetit, gazetarët pjesëmarrës kanë zgjeruar njohuritë mbi parimet e mbrojtjes së fëmijëve, raportimin e ndjeshëm ndaj traumës, ruajtjen e identitetit dhe privatësisë së fëmijëve, si dhe përgjegjësitë etike dhe profesionale të mediave gjatë trajtimit të rasteve që i përfshijnë ata.

Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, janë trajtuar edhe sfidat me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit për çështjet e fëmijëve, duke theksuar nevojën që interesi më i mirë i fëmijës të jetë në qendër të çdo raportimi.

Ky aktivitet synon forcimin e kapaciteteve profesionale të gazetarëve dhe promovimin e praktikave mediale që respektojnë dinjitetin, privatësinë dhe të drejtat e fëmijëve.

Youtube

Arkiva

Kategoritë