Mër, Nën 25, 2026
Banner Top
Banner Top
A jemi duke e normalizuar rraskapitjen?

Të zgjohemi të lodhur, të kalojmë ditën me kafe, të mos kemi energji për asgjë pas punës dhe të presim fundjavën për të marrë frymë. A është kjo bërë aq normale sa kemi harruar se nuk duhet të ndihemi kështu çdo ditë?

“Jam shumë i lodhur”, “nuk kam fjetur mjaftueshëm”, “kam nevojë për pushime”, ” mezi po e pres fundjavën”. Këto janë ndër fjalitë që dëgjohen pothuajse çdo ditë, në biseda mes kolegëve, miqve apo familjarëve. Shpesh i themi me të qeshur, sikur lodhja e vazhdueshme është një pjesë e pashmangshme e jetës së të rriturve.

Jemi mësuar të zgjohemi pa energji, ta shtyjmë ditën me kafe, të përmbushim detyrimet edhe kur ndihemi të rraskapitur dhe të kthehemi në shtëpi pa pasur fuqi për asgjë tjetër. Pushimi është kthyer në diçka që e presim me padurim, por jo gjithmonë arrijmë ta shijojmë, sepse edhe ditët e lira i mbushim me detyrime të tjera.

Në një shoqëri ku produktiviteti, angazhimi dhe të qenit gjithmonë në dispozicion vlerësohen si shenja suksesi, lodhja shpesh shihet si dëshmi se po punojmë mjaftueshëm. Sa më shumë të kemi për të bërë, aq më të rëndësishëm duket se jemi. Ndërsa të ndalemi, të pushojmë apo të pranojmë se nuk kemi më energji, mund të na krijojë ndjenjën se po mbetemi prapa.

Por kur lodhja bëhet gjendje e përditshme, a ndalemi ndonjëherë të pyesim veten se çfarë po na shkakton?

Kur trupi nuk po arrin më të rikuperohet

Lodhja është një reagim normal i organizmit, veçanërisht pas aktivitetit fizik, mungesës së gjumit apo periudhave të ngarkuara. Megjithatë, lodhja e vazhdueshme, e cila nuk përmirësohet me pushim dhe fillon të ndikojë në përqendrimin, disponimin dhe funksionimin e përditshëm, nuk duhet të konsiderohet automatikisht pjesë e jetës.

Pas saj mund të qëndrojnë faktorë të ndryshëm, nga stresi i zgjatur, gjumi jo cilësor dhe ngarkesa emocionale, deri te probleme shëndetësore si anemia, çrregullimet e tiroides apo gjendje të tjera që kërkojnë vlerësim mjekësor.

Megjithatë, shumë njerëz e shtyjnë kontrollin, duke menduar se u duhet vetëm pak pushim, një vikend më i qetë apo disa ditë pushime. Kur lodhja përsëritet, shpesh mësohemi të jetojmë me të, në vend që të kërkojmë shkakun.

Nuk jemi dembelë vetëm pse nuk kemi energji

Një nga pasojat e normalizimit të rraskapitjes është mënyra se si fillojmë ta gjykojmë veten. Kur nuk kemi energji për t’u marrë me punët e shtëpisë, për të dalë me miqtë, për të ushtruar apo për t’u marrë me gjërat që dikur na pëlqenin, mund ta quajmë veten dembelë, të paporganizuar ose të pamotivuar.

Në vend që të pyesim pse nuk po arrijmë të bëjmë më shumë, rrallë pyesim nëse kemi qenë duke bërë tepër për një kohë të gjatë.

Ndonjëherë, nuk na mungon motivimi. Na mungon pushimi. Ndonjëherë, nuk kemi nevojë për një rutinë më të organizuar apo për ta mbushur ditën me më shumë aktivitete, por për të kuptuar se kemi arritur kufijtë tanë.

Pse edhe pushimi na shkakton ndjenjë faji?

Edhe kur kemi mundësi të pushojmë, jo të gjithë arrijmë ta bëjmë këtë pa u ndier në faj. Mendimet për punët e papërfunduara, përgjegjësitë, mesazhet pa përgjigje dhe gjërat që duhet të bëjmë nesër vazhdojnë të na shoqërojnë edhe kur fizikisht jemi larg angazhimeve.

Për disa, pushimi duket sikur duhet të fitohet pasi të jenë përfunduar të gjitha detyrat. Por lista e gjërave për t’u bërë rrallë përfundon. Kështu, pushimi shtyhet vazhdimisht për një moment tjetër, i cili jo gjithmonë vjen.

Kur kjo bëhet mënyrë jetese, lodhja nuk është më vetëm fizike. Ajo mund të ndikojë në marrëdhëniet tona, në durimin, në mënyrën se si komunikojmë dhe në kënaqësinë që përjetojmë në jetën e përditshme.

Ndoshta duhet të ndalemi së romantizuari të qenit gjithmonë të zënë, të mos e konsiderojmë rraskapitjen si dëshmi të përkushtimit dhe të mos e shohim pushimin si luks që mund ta përballojmë vetëm pasi të kemi përfunduar gjithçka.

Të jesh i lodhur herë pas here është normale. Por të jetosh vazhdimisht i rraskapitur, të mos kesh energji për jetën përtej detyrimeve dhe të presësh çdo ditë vetëm të përfundojë, nuk duhet të jetë standardi ynë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë