Stresi, ankthi, lodhja emocionale dhe problemet e përditshme shpesh normalizohen deri në pikën kur njeriu nuk arrin më t’i përballojë. Pse kërkimi i ndihmës psikologjike ende shihet si zgjidhja e fundit dhe jo si kujdes për veten?
“Do të kalojë”, “nuk është asgjë”, “ka njerëz që i kanë problemet edhe më të mëdha”, “duhet të bëhem i fortë”. Këto janë disa nga fjalitë që njerëzit ia përsërisin vetes kur përballen me vështirësi emocionale. Në vend që të kërkojnë ndihmë, zgjedhin të presin, të heshtin dhe të vazhdojnë përditshmërinë, duke shpresuar se ajo që po përjetojnë do të largohet vetvetiu.
Por jo gjithmonë kalon.
Shpesh, ndihma psikologjike kërkohet vetëm kur gjendja bëhet e padurueshme, kur ankthi ndikon në punë, marrëdhënie, gjumë apo funksionimin e përditshëm, ose kur njeriu ndien se nuk ka më fuqi të përballojë gjithçka i vetëm.
Kjo ngre një pyetje: pse presim të jemi në gjendje të rënduar për të pranuar se kemi nevojë për ndihmë?
Një ndër arsyet lidhet me mënyrën se si jemi rritur dhe çfarë kemi mësuar për emocionet. Në shumë familje, të qenit i fortë nënkupton të mos ankohesh, të mos shfaqësh dobësi dhe të gjesh vetë zgjidhje për problemet. Dhimbja emocionale shpesh minimizohet, ndërsa kërkimi i ndihmës mund të shoqërohet me frikën e gjykimit, turpit apo etiketimit.
Për disa, pranimi se nuk janë mirë është më i vështirë sesa vetë përballja me problemin. Për të tjerë, terapia shihet si diçka që u nevojitet vetëm njerëzve me probleme të rënda të shëndetit mendor, duke lënë jashtë vëmendjes faktin se edhe vështirësitë e përditshme, krizat personale, humbjet, stresi i vazhdueshëm dhe problemet në marrëdhënie mund të jenë arsye për të kërkuar mbështetje.
Një tjetër pengesë është qasja në shërbime. Kostoja e seancave psikologjike, mungesa e shërbimeve të mjaftueshme dhe vështirësitë për të gjetur profesionistë mund ta bëjnë kërkimin e ndihmës edhe më të vështirë. Kështu, vendimi për të shkuar te psikologu shtyhet jo vetëm nga stigma, por edhe nga rrethanat ekonomike dhe praktike.
Ndërkohë, është e mundur që njeriu të mësohet me gjendjen e tij emocionale, edhe kur ajo nuk është e mirë. Pagjumësia bëhet rutinë, irritimi shpjegohet me lodhjen, mungesa e motivimit me ngarkesën e punës, ndërsa ankthi konsiderohet pjesë e zakonshme e jetës. Kur këto përvoja normalizohen, bëhet më e vështirë të kuptohet se diçka kërkon vëmendje.
Kërkimi i ndihmës psikologjike nuk duhet të jetë një vendim që merret vetëm kur njeriu arrin kufijtë e tij. Nuk është e nevojshme të jesh në krizë, të kesh një diagnozë apo të mos funksionosh më në përditshmëri për të folur me një profesionist. Ashtu si kujdesemi për shëndetin fizik, edhe shëndeti emocional meriton vëmendje, pa pritur që gjendja të përkeqësohet.
Ndoshta problemi nuk është se njerëzit nuk kanë nevojë për ndihmë, por se janë mësuar ta shtyjnë atë. Të durojnë pak më gjatë, të heshtin edhe një herë, të presin edhe një javë, një muaj, derisa të mos kenë më mundësi ta bëjnë këtë.
Dhe pikërisht këtu duhet të ndryshojë mënyra se si e shohim kujdesin psikologjik: jo si shenjë se kemi dështuar t’i përballojmë problemet, por si një mënyrë për të mos i përballuar ato vetëm.













