Mër, Gus 19, 2026
Banner Top
Banner Top
Pse zgjoheni me migrenë? 9 arsye që mund ta shkaktojnë

Nëse shpesh e nisni ditën me dhimbje të forta koke, shkaku mund të mos jetë thjesht një gjumë i keq. Problemet me gjumin, dehidratimi, kafeina, disa ushqime dhe madje edhe ndryshimet e motit mund të lidhen me shfaqjen e migrenës në orët e mëngjesit.

Migrena mund të ndikojë ndjeshëm në jetën e përditshme, duke e bërë të vështirë përqendrimin, punën dhe aktivitetet e zakonshme. Sipas neurologes MaryAnn Mays, Cleveland Clinic ,disa faktorë të zakonshëm mund të shpjegojnë pse një person zgjohet me migrenë.

1. Problemet me gjumin

Një nga shkaqet e mundshme janë çrregullimet e gjumit. Pagjumësia, kërcitja ose shtrëngimi i dhëmbëve gjatë gjumit dhe sindroma e këmbëve të shqetësuara mund të ndikojnë në cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit dhe të shoqërohen me migrena më të shpeshta.

Gjumi është i rëndësishëm për shumë procese të organizmit. Gjatë tij, truri kryen procese që ndihmojnë në largimin e mbetjeve metabolike të krijuara gjatë ditës. Kur gjumi ndërpritet ose nuk është cilësor, kjo mund të ndikojë edhe në shfaqjen e dhimbjeve të kokës.

Një studim ka gjetur lidhje mes çrregullimeve të gjumit dhe migrenës.

2. Mungesa e ujit

Dehidratimi është një tjetër faktor që mund të favorizojë dhimbjet e kokës dhe migrenën.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të konsumoni mjaftueshëm lëngje gjatë ditës. Nëse jeni të prirur ndaj dhimbjeve të kokës nga dehidratimi, mund t’ju ndihmojë edhe të mbani një shishe me ujë pranë shtratit.

Alkooli dhe konsumimi i tepërt i kafeinës gjithashtu mund të ndikojnë në hidratimin e organizmit dhe në cilësinë e gjumit, duke favorizuar dhimbjet e kokës tek disa persona.

3. Përdorimi i tepërt i qetësuesve

Nëse përdorni shpesh ilaçe pa recetë për të qetësuar dhimbjen, mund të krijohet një cikël i padëshiruar.

Sipas Dr. Mays, përdorimi i shpeshtë i qetësuesve si aspirina, acetaminofeni ose ibuprofeni mund të rrisë rrezikun për atë që njihet si dhimbje koke nga përdorimi i tepërt i medikamenteve.

Pra, ilaçi mund të sjellë lehtësim përkohësisht, por përdorimi shumë i shpeshtë mund të kontribuojë në shfaqjen e dhimbjeve të përsëritura. Nëse keni nevojë për qetësues më shumë se dy ditë në javë për shkak të dhimbjeve të kokës, është mirë të konsultoheni me mjekun.

4. Disa ushqime mund të jenë shkaktarë

Disa persona vërejnë se migrena u shfaqet pas konsumimit të ushqimeve të caktuara. Djathërat e stazhionuar, vera e kuqe dhe çokollata janë ndër ushqimet që raportohen më shpesh si shkaktarë të mundshëm.

Megjithatë, nuk ekziston një listë ushqimesh që shkakton migrenë te të gjithë.

Për këtë arsye, mbajtja e një ditari ushqimor mund t’ju ndihmojë të kuptoni nëse një ushqim i caktuar lidhet vazhdimisht me shfaqjen e migrenës.

5. Shumë kafeinë

Një filxhan kafe nuk është domosdoshmërisht problem për personat me migrenë. Në fakt, sasi të moderuara të kafeinës mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes te disa njerëz.

Problemi mund të shfaqet kur konsumimi ndryshon shumë nga një ditë në tjetrën.

Për shembull, nëse një ditë pini disa filxhanë kafe dhe ditën tjetër nuk konsumoni fare, rënia e papritur e nivelit të kafeinës mund të shkaktojë dhimbje koke ose migrenë.

Sipas Dr. Mays, rreth 100 deri në 150 miligramë kafeinë në ditë, afërsisht sa një filxhan kafe, mund të jetë një sasi e përshtatshme për disa persona. Në të kundërt, konsumimi i më shumë se 400 miligramëve në ditë mund të rrisë rrezikun për migrenë.

6. Ankthi dhe depresioni

Gjendja emocionale dhe migrena mund të jenë të lidhura ngushtë.

Ankthi dhe depresioni mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit dhe nivelin e stresit, të cilët janë faktorë të njohur që mund të nxisin migrenën.

Sipas Dr. Mays, njerëzit që kanë migrenë kanë rrezik më të lartë për ankth dhe depresion, ndërsa edhe personat me këto probleme mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë migrena.

7. Drita, aromat dhe zhurmat e forta

Për disa persona, shqisat mund të jenë veçanërisht të ndjeshme gjatë një episodi migrenoz.

Drita e fortë, aromat intensive, tymi, qirinjtë aromatikë dhe zhurmat e larta mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë migrenën.

Një shpjegim është se truri i personave të prirur ndaj migrenës mund ta ketë më të vështirë filtrimin e stimujve shqisorë. Si rezultat, drita, tingujt ose aromat mund të bëhen mbingarkuese.

8. Ndryshimet e motit

Edhe moti mund të ndikojë te disa persona që vuajnë nga migrena.

Rënia e presionit atmosferik ose ndryshimet e menjëhershme të temperaturës janë raportuar si shkaktarë të mundshëm. Ndryshimet në presion mund të ndikojnë në zgavrat e hundës dhe sinuseve dhe, sipas një teorie, mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si truri përpunon dhimbjen.

9. Ndryshimet hormonale gjatë mëngjesit

Orët e para të mëngjesit mund të jenë veçanërisht të rëndësishme për personat me migrenë.

Rreth orës 4:00 deri në 8:00 të mëngjesit, organizmi ndryshon natyrshëm nivelet e disa hormoneve ndërsa përgatitet për zgjim. Në të njëjtën kohë, mekanizmat natyrorë që ndihmojnë në kontrollin e dhimbjes mund të jenë më pak aktivë.

Te personat që janë të prirur ndaj migrenës, këto ndryshime mund të rrisin përkohësisht ndjeshmërinë ndaj dhimbjes dhe të shpjegojnë pse migrena mund të nisë ose të përkeqësohet në mëngjes.

Si ta zvogëloni rrezikun e migrenës në mëngjes?

Disa ndryshime të thjeshta në rutinën e përditshme mund të ndihmojnë në reduktimin e shpeshtësisë së migrenës:

Mbani një orar të rregullt. Përpiquni të flini dhe të zgjoheni në të njëjtën kohë çdo ditë. Edhe vaktet dhe aktiviteti fizik mund të mbahen në një orar sa më të qëndrueshëm. Synoni rreth shtatë deri në nëntë orë gjumë në natë.

Kujdesuni për hidratimin dhe ushqimin. Pini mjaftueshëm ujë gjatë ditës dhe kushtojini vëmendje ushqimeve që duket se ju shkaktojnë migrenë.

Lëvizni rregullisht. Aktiviteti fizik i moderuar, si ecja, çiklizmi ose noti, për rreth 150 minuta në javë, mund të ndihmojë në uljen e shpeshtësisë dhe intensitetit të migrenës te disa persona. Joga dhe meditimi mund të jenë gjithashtu të dobishme.

Menaxhoni stresin. Teknikat e relaksimit dhe praktikat e ndërgjegjësimit mund të ndihmojnë në menaxhimin e stresit, i cili mund të jetë një nga shkaktarët e migrenës.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

Nëse dhimbjet e kokës janë të shpeshta, të forta ose ndikojnë në punën dhe jetën tuaj të përditshme, është e rëndësishme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor.

Migrena shpesh nënvlerësohet dhe mund të konsiderohet thjesht si një “dhimbje koke e zakonshme”, por ajo mund të jetë shumë më tepër se kaq dhe të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës.

Një mjek mund të ndihmojë në përcaktimin e shkaktarëve, të sugjerojë ndryshime në stilin e jetesës dhe, nëse është e nevojshme, të rekomandojë trajtim.

Një studim i publikuar në The Journal of Headache and Pain e ka identifikuar migrenën si një nga gjendjet më paaftësuese te personat nën moshën 50 vjeç.

Nëse zgjoheni rregullisht me migrenë, nuk është diçka që duhet thjesht ta pranoni si pjesë të rutinës. Identifikimi i shkaktarëve dhe trajtimi i hershëm mund të ndihmojnë në uljen e ndikimit që migrena ka në ditën dhe jetën tuaj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë