Ajo që hamë nuk ndikon vetëm në trupin tonë. Ushqimi luan rol edhe në mënyrën se si funksionon truri, ndërsa disa ushqime mund të ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës dhe aftësive njohëse me kalimin e moshës.
Me kalimin e viteve, truri pëson ndryshime natyrore, përfshirë pakësimin e lëndës së bardhë dhe asaj gri, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e tij. Megjithatë, mënyra e të ushqyerit mund të ndikojë në shëndetin e trurit dhe në rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative.
Sipas neurologut dhe specialistit të shëndetit të kujtesës dhe funksioneve njohëse, Babak Tousi, Cleveland Clinic disa mënyra të të ushqyerit kanë treguar rezultate të dobishme për shëndetin e trurit.
Madje, sipas një studimi të publikuar në National Library of Medicine, deri në 40% e rasteve të demencës mund të lidhen me disa faktorë rreziku që mund të ndryshohen, përfshirë edhe ushqyerjen.
Peshku
Peshku është një nga ushqimet që lidhet më fort me shëndetin e trurit. Arsyeja kryesore janë acidet yndyrore omega-3, të cilat kanë rol në funksionimin e trurit dhe janë lidhur me kujtesë dhe aftësi më të mira të të nxënit.
Për këtë arsye, rekomandohet konsumimi i peshqve të pasur me omega-3 dhe me përmbajtje më të ulët të merkurit, si:
- salmoni;
- sardelet;
- harenga;
- toni.
Manaferrat dhe frutat e pyllit
Boronicat, dredhëzat dhe manaferrat nuk janë vetëm një burim i mirë vitaminash dhe fibrash. Ato përmbajnë edhe antocianina, pigmente që u japin frutave ngjyrën e kuqe, vjollcë dhe blu dhe që kanë veti antioksiduese.
Studime të ndryshme kanë shqyrtuar lidhjen mes konsumimit të frutave të pyllit dhe shëndetit të trurit, veçanërisht në lidhje me ndryshimet njohëse që shfaqen me moshën.
Drithërat integrale
Një tjetër ndryshim i thjeshtë në dietë mund të jetë zëvendësimi i karbohidrateve të rafinuara me drithëra integrale.
Buka dhe makaronat integrale, orizi kaf, tërshëra, quinoa dhe hikërrori përmbajnë karbohidrate komplekse, të cilat shpërbëhen më ngadalë nga organizmi.
Drithërat integrale janë lidhur gjithashtu me nivele më të ulëta të inflamacionit, presionit të gjakut dhe kolesterolit, faktorë që lidhen me shëndetin e trurit. ]
Perimet me gjethe jeshile
Spinaqi, rukola, brokoli dhe perime të tjera me gjethe jeshile janë të pasura me lëndë ushqyese që i nevojiten trurit, përfshirë vitaminën K, luteinën, folatin dhe beta-karotenin.
Një studim i publikuar në Neurology zbuloi se të rriturit e moshuar që konsumonin rregullisht perime me gjethe jeshile kishin ritëm më të ngadaltë të rënies së aftësive të të menduarit dhe kujtesës.
Arrat
Arrat janë një tjetër ushqim që mund të jetë i dobishëm për trurin. Ato përmbajnë acid alfa-linolenik (ALA), një lloj acidi yndyror omega-3 me bazë bimore.
Përveç kësaj, arrat përmbajnë përbërës që janë lidhur me uljen e stresit oksidativ dhe inflamacionit kronik. Të dy këta faktorë mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e trurit kur zgjasin për një kohë të gjatë.
Edhe këto ushqime mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme për trurin
Përveç ushqimeve të mësipërme, disa të tjera janë lidhur me përfitime për funksionet njohëse:
Vaji ekstra i virgjër i ullirit – Konsumimi më i lartë i vajit të ullirit është lidhur me një rrezik më të ulët të vdekjes nga shkaqet e lidhura me demencën.
Vezët – Përveç proteinave, vezët përmbajnë kolinë, një lëndë ushqyese që luan rol në funksionimin e trurit, kujtesën dhe humorin.
Kafeja – Një përmbledhje studimesh ka gjetur se konsumimi i dy deri në tre filxhanëve kafe në ditë është shoqëruar me rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Çaji i gjelbër – Kombinimi i kafeinës dhe L-teaninës në çajin e gjelbër është studiuar për ndikimin e mundshëm në kujtesë, vëmendje dhe funksionimin e përgjithshëm të trurit.
Çokollata e zezë – Çokollata me të paktën 70% kakao përmban flavonoide, të cilat mund të kenë ndikim pozitiv në disa aftësi njohëse, përfshirë përpunimin e informacionit dhe gjetjen e fjalëve.
Çfarë duhet të kufizojmë?
Për shëndetin e trurit, nuk ka rëndësi vetëm ajo që shtojmë në dietë, por edhe ajo që konsumojmë më pak.
Ekspertët rekomandojnë kufizimin e:
- ushqimeve ultra të përpunuara;
- ushqimeve dhe pijeve me shumë sheqer;
- ushqimeve të pasura me yndyra të ngopura;
- ushqimeve me shumë kripë;
- alkoolit.
Një dietë e pasur me ushqime që nxisin inflamacionin mund të ndikojë negativisht në shëndetin e trurit dhe të lidhet me rënien e funksioneve njohëse.
Dy mënyra të ushqyerit që lidhen me shëndetin e trurit
Nuk bëhet fjalë për një ushqim të vetëm që mund ta mbajë trurin të shëndetshëm. Në vend të kësaj, studimet kanë treguar përfitime të mundshme nga disa modele të përgjithshme të ushqyerjes.
Një prej tyre është dieta mesdhetare, e cila bazohet kryesisht në perime, fruta, drithëra integrale, peshk, mish pa shumë yndyrë dhe vaj ulliri. Përveç përfitimeve për zemrën, kjo mënyrë e të ushqyerit është lidhur edhe me shëndetin e trurit.
Një tjetër është dieta MIND, e cila kombinon elemente të dietës mesdhetare me dietën DASH, të krijuar për të ndihmuar në kontrollin e presionit të gjakut. Dieta MIND thekson konsumimin e ushqimeve si perimet me gjethe jeshile, manaferrat, arrat, drithërat integrale, peshku dhe vaji i ullirit, ndërsa kufizon mishin e kuq, ushqimet e skuqura, ëmbëlsirat dhe ushqimet e shpejta. Studimet e kanë lidhur këtë model ushqyerjeje me një rënie më të ngadaltë të funksioneve njohëse.
Një ndryshim i vogël mund të jetë fillimi
Nuk është e nevojshme të ndryshohet e gjithë dieta brenda një dite. Shtimi gradual i perimeve, frutave, peshkut, drithërave integrale dhe yndyrave të shëndetshme, ndërsa reduktohen ushqimet ultra të përpunuara dhe sheqeri i tepërt, mund të jetë një mënyrë më e qëndrueshme për të përmirësuar cilësinë e ushqyerjes.
Në fund të fundit, shëndeti i trurit nuk varet nga një ushqim “magjik”, por nga modeli i përgjithshëm i jetesës dhe ushqyerjes. Një pjatë më e larmishme dhe më e pasur me ushqime të plota mund të jetë një hap i thjeshtë për t’i dhënë trurit lëndët ushqyese që i nevojiten.













