Një ilaç eksperimental në formë pilule po konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm në luftën kundër kancerit të pankreasit, pasi rezultatet e një studimi të ri tregojnë se ai mund të zgjasë ndjeshëm jetën e pacientëve me sëmundje të avancuar.
Sipas CNN, ilaçi daraksonrasib (daraxonrasib) pothuajse dyfishoi mbijetesën mesatare të pacientëve krahasuar me kimioterapinë, duke ofruar një alternativë premtuese për një sëmundje që prej vitesh ka pasur mundësi të kufizuara trajtimi.
Rezultatet u publikuan në revistën shkencore New England Journal of Medicine dhe u prezantuan më 31 maj 2026 në kongresin e Shoqatës Amerikane për Onkologji Klinike (ASCO), në Çikago.
Në studim u përfshinë rreth 500 pacientë me kancer metastatik të pankreasit, të cilët nuk kishin pasur përmirësim nga trajtimet e mëparshme. Ata që morën daraksonrasib jetuan mesatarisht 13.2 muaj, ndërsa pacientët e trajtuar me kimioterapi jetuan mesatarisht 6.7 muaj.
Përveç zgjatjes së mbijetesës, pacientët që përdorën pilulën raportuan më pak dhimbje, cilësi më të mirë jete dhe më pak efekte anësore serioze. Në shumë raste u vu re edhe tkurrje e tumoreve, ndërsa disa pacientë vazhduan trajtimin edhe pas përfundimit të analizës fillestare të të dhënave.
Dr. Zev Wainberg nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos, i cili udhëhoqi studimin, tha se megjithëse ilaçi nuk përbën ende një kurë, ai përfaqëson një përparim të madh.
“Edhe pse nuk e shëron kancerin, është një hap shumë i madh përpara,” është shprehur ai.
Sipas studiuesve, daraksonrasib vepron duke bllokuar mutacionet e proteinës KRAS, të cilat gjenden në mbi 90 për qind të rasteve të kancerit të pankreasit. Për dekada me radhë, kjo proteinë konsiderohej një objektiv pothuajse i pamundur për t’u trajtuar me ilaçe.
Dr. Rachna Shroff nga Qendra e Kancerit e Universitetit të Arizonës, e cila nuk mori pjesë në studim, e cilësoi rezultatin si emocionues.
“Duke trajtuar kancerin e pankreasit për 16 vjet, fillova të qaja kur pashë rezultatet e para të studimit,” tha ajo, duke shtuar se pacientët përfituan një përmirësim të qëndrueshëm si në mbijetesë, ashtu edhe në cilësinë e jetës.
Edhe Dr. Brian Wolpin nga Instituti i Kancerit Dana-Farber vlerësoi se daraksonrasib ka potencialin të bëhet standardi i ri i trajtimit për pacientët me kancer metastatik të pankreasit që kanë marrë më parë terapi të tjera. Sipas tij, studimet do të vazhdojnë për të parë nëse ilaçi mund të përdoret edhe në fazat e hershme të sëmundjes dhe nëse mund të ndihmojë më shumë pacientë të bëhen kandidatë për kirurgji.
Efektet anësore më të shpeshta të raportuara ishin skuqja e lëkurës dhe plagët në gojë, megjithëse në përgjithësi trajtimi u tolerua më mirë se kimioterapia.
Studimi u financua nga kompania Revolution Medicines, ndërsa Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) pritet ta shqyrtojë ilaçin përmes një procedure të përshpejtuar. Deri atëherë, disa pacientë mund të kenë akses në të përmes programit të “qasjes së zgjeruar”.
Interesi për këtë terapi u shtua pasi ish-senatori amerikan Ben Sasse tregoi në emisionin “60 Minutes” se kishte përjetuar më pak dhimbje gjatë përdorimit të saj.
Kanceri i pankreasit mbetet një nga format më agresive të kancerit, pasi në shumicën e rasteve diagnostikohet vetëm pasi është përhapur në pjesë të tjera të trupit. Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, këtë vit në SHBA pritet të diagnostikohen rreth 67 mijë raste të reja, ndërsa mbi 52 mijë persona do të humbin jetën nga kjo sëmundje. Shkalla pesëvjeçare e mbijetesës mbetet vetëm 13 për qind.
Ekspertët besojnë se daraksonrasib mund të shënojë fillimin e një epoke të re në trajtimin e kancerit të pankreasit, ndërsa po zhvillohen edhe terapi të tjera që synojnë mutacionet KRAS, si dhe vaksina eksperimentale për të parandaluar rikthimin e sëmundjes pas ndërhyrjes kirurgjikale.













