Kalimi i shpejtë nga temperaturat shumë të larta në mot më të freskët nuk ndikon vetëm në mënyrën si ndihemi, por mund të ketë efekt edhe në organizmin tonë. Edhe pse trupi ka aftësinë të përshtatet me ndryshimet klimatike, ky proces nuk ndodh gjithmonë menjëherë dhe tek disa persona mund të shfaqen simptoma të ndryshme.
Një nga ankesat më të zakonshme është lodhja e përgjithshme. Shumë njerëz ndihen pa energji, të përgjumur ose kanë vështirësi në përqendrim kur temperaturat bien ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër.
Ndryshimet e motit mund të ndikojnë edhe te personat që vuajnë nga migrena ose dhimbjet e kokës. Luhatjet e temperaturës dhe presionit atmosferik janë faktorë që tek disa individë mund të nxisin ose përkeqësojnë këto simptoma.
Gjithashtu, shumë persona raportojnë shtim të dhimbjeve në nyje dhe muskuj, veçanërisht ata që vuajnë nga artriti apo sëmundje të tjera reumatizmale. Edhe pse moti nuk është shkaku i këtyre sëmundjeve, ai mund t’i bëjë simptomat më të theksuara.
Ndryshimet e papritura të temperaturës mund të ndikojnë edhe në sistemin e frymëmarrjes. Personat me astmë, alergji ose sëmundje kronike të mushkërive mund të kenë më shumë vështirësi në frymëmarrje, sidomos kur ajri bëhet më i freskët dhe më i lagësht.
Edhe tensioni i gjakut mund të pësojë luhatje. Temperaturat më të ulëta shkaktojnë ngushtimin e enëve të gjakut, gjë që tek disa persona mund të rrisë tensionin arterial dhe të shtojë ngarkesën për zemrën.
Përveç ndikimit fizik, ndryshimet e motit mund të reflektohen edhe në humor. Disa njerëz ndihen më të irrituar, më ankthiozë ose më të plogësht gjatë periudhave me ndryshime të shpeshta klimatike.
Për ta ndihmuar organizmin të përshtatet më lehtë, rekomandohet të konsumoni mjaftueshëm ujë edhe kur temperaturat bien, të flini mjaftueshëm, të ushqeheni në mënyrë të ekuilibruar dhe të visheni sipas kushteve të motit. Personat me sëmundje kronike duhet të vazhdojnë terapinë e përshkruar dhe të konsultohen me mjekun nëse simptomat përkeqësohen.
Megjithëse shumica e njerëzve e kalojnë pa probleme këtë periudhë tranzicioni, është normale që organizmit t’i nevojiten disa ditë për t’u përshtatur me ndryshimet e mëdha të motit.













