Një vajzë trevjeçare humbi jetën në shtëpinë e familjes së saj në veri të shtetit të Nju Jorkut, pasi trupi i saj ishte infektuar rëndë me morra, gjë që i shkaktoi anemi fatale, u tha në gjykatë.
Joycelynn Dylewski u gjet me vështirësi në frymëmarrje në një apartament në Corinth, rreth një orë larg Albany, më 19 shkurt 2025, shkruan Daily Mail.
Vogëlushja u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Vdekja e saj u cilësua si vrasje, pasi ekzaminimi mjeko-ligjor zbuloi prova shqetësuese se ajo kishte qenë viktimë e neglizhencës së rëndë dhe të vazhdueshme.
Prindërit e saj, Matthew dhe Samantha Dylewski, pranuan fajësinë për vrasje nga neglizhenca kriminale në lidhje me vdekjen e fëmijës së tyre më të vogël dhe këtë muaj u dënuan me dënimin maksimal prej deri në katër vjet burg.
Sipas raportimeve, Joycelynn ishte aq e prekur nga morrat, sa zhvilloi anemi – një gjendje që dëmtoi zemrën dhe organet e tjera të trupit.
Mjeku ligjor zbuloi gjithashtu se në organizmin e saj kishte gjurmë të klonidinës, një ilaç që përdoret për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut.
Në kohën e vdekjes së vajzës, Samantha, 33 vjeçe, u tha hetuesve se Joycelynn kishte kundërshtuar vazhdimisht kur ajo përpiqej t’i aplikonte trajtim për morrat, duke lënë të kuptohej se fajin e kishte vetë fëmija.
Ajo deklaroi gjithashtu se tabletat e klonidinës ishin lënë pa kujdes nga djali i saj dhe se Joycelynn i kishte gëlltitur në atë mënyrë.













