Enj, Qer 18, 2026
Banner Top
Banner Top
Edhe më pak se një gotë alkool në ditë mund të rrisë rrezikun për disa lloje kanceri, zbulon studimi

Një studim i ri shkencor ka zbuluar se konsumimi i alkoolit mund të rrisë rrezikun për disa lloje kanceri edhe kur konsumohet në sasi të vogla, më pak se një pije alkoolike në ditë.

Hulumtimi, i realizuar nga Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Uashingtonit, konsiderohet një nga analizat më gjithëpërfshirëse të deritanishme mbi ndikimin e alkoolit në shëndet. Studiuesit analizuan dhjetëra sëmundje dhe gjetën prova të qarta se alkooli lidhet me rritjen e rrezikut për disa forma kanceri dhe sëmundje kronike të mëlçisë, shkuan Nature Health, raporton FamiljaJone.

Sipas studimit, kanceret e gojës, buzëve, laringut dhe zorrës së trashë shfaqën lidhjen më të fortë me konsumimin e alkoolit. Studiuesit vlerësuan se rreziku për këto sëmundje mund të rritet me 22% deri në 49%, në varësi të nivelit të konsumit.

Analiza gjeti gjithashtu se alkooli lidhet me rritje të rrezikut për cirrozë të mëlçisë, pankreatit dhe sëmundje të tjera kronike të mëlçisë. Edhe për kancerin e gjirit, mëlçisë, pankreasit dhe prostatës u gjetën prova të qëndrueshme se rreziku rritet me shtimin e konsumit të alkoolit.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se ndikimi i alkoolit nuk është i njëjtë për çdo sëmundje. Për disa probleme kardiovaskulare dhe neurologjike, rezultatet ishin më komplekse dhe kërkojnë kërkime të mëtejshme.

Ekspertët këshillojnë që njerëzit të jenë të vetëdijshëm se nuk ekziston një nivel plotësisht pa rrezik i konsumimit të alkoolit kur bëhet fjalë për kancerin, ndërsa reduktimi i konsumit mbetet një nga mënyrat më efektive për të ulur rrezikun afatgjatë për shëndetin.

Autorët e studimit: Institute for Health Metrics and Evaluation (IHME)
Publikuar në: Nature Health

Përgatiti: FamiljaJonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë