Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature ka identifikuar një “pikë ideale” të gjumit që lidhet me plakje më të ngadaltë biologjike dhe rrezik më të ulët për sëmundje kronike.
Shkencëtarët analizuan të dhënat e rreth 500 mijë personave dhe zbuluan se njerëzit që flenë mes 6.4 dhe 7.8 orë në natë kanë ritmin më të ngadaltë të plakjes biologjike. Në të kundërt, si mungesa e gjumit ashtu edhe gjumi i tepërt u lidhën me përshpejtim të proceseve të plakjes në organe të ndryshme të trupit, përfshirë trurin, zemrën dhe sistemin imunitar, sipas Health, raporton FamiljaJonë.
Sipas studiuesve, gjumi i pamjaftueshëm mund të rrisë inflamacionin, stresin dhe problemet metabolike, ndërsa gjumi i tepërt shpesh lidhet me probleme të tjera shëndetësore që ndikojnë negativisht në organizëm.
Ekspertët theksojnë se cilësia e gjumit është po aq e rëndësishme sa edhe kohëzgjatja. Mbajtja e një orari të rregullt për të fjetur, shmangia e ekraneve para gjumit dhe krijimi i një ambienti të qetë në dhomën e gjumit mund të ndihmojnë në përmirësimin e pushimit gjatë natës.
Autorët e studimit theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë se të gjithë duhet të flenë saktësisht të njëjtin numër orësh, por sugjerojnë se shumica e të rriturve përfitojnë më shumë kur flenë rreth 7 deri në 8 orë çdo natë./FamiljaJonë













