Die, Qer 14, 2026
Banner Top
Banner Top

Ilaçet për humbjen e peshës mund të ndihmojnë jo vetëm në uljen e kilogramëve, por edhe në zvogëlimin e nevojës për operacione të gjurit, sugjeron një studim i ri i realizuar në Shtetet e Bashkuara.

Sipas hulumtimit, përdorimi për të paktën tre vjet i barnave të njohura si Wegovy, Mounjaro dhe Ozempic mund të ulë ndjeshëm rrezikun e operacionit te personat që vuajnë nga osteoartriti i gjurit.

Osteoartriti është forma më e zakonshme e artritit dhe prek më shumë se 500 milionë njerëz në mbarë botën, sipas raportimeve të “The Guardian”. Mbipesha dhe obeziteti konsiderohen ndër faktorët kryesorë të rrezikut, pasi rrisin presionin mbi nyjet.

Studiues nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Marylandit analizuan të dhënat e 6.8 milionë të rriturve të diagnostikuar me osteoartrit të gjurit midis viteve 2010 dhe 2024. Ata krahasuan pacientët që kishin përdorur ilaçe të grupit GLP-1 për të paktën një vit me pacientë të ngjashëm që nuk i kishin përdorur këto barna.

Rezultatet treguan se përdorimi i këtyre ilaçeve lidhej me ulje të rrezikut për operacion të gjurit me 1.4 pikë përqindjeje pas tre vjetësh dhe 2.8 pikë përqindjeje pas tetë vjetësh.

Efekti më i madh u vu re te pacientët që kishin përdorur semaglutide ose tirzepatide – përbërës aktivë të barnave si Wegovy, Ozempic dhe Mounjaro – për një periudhë më të gjatë.

Sipas studiuesve, ilaçet GLP-1 mund të ndikojnë në osteoartritin e gjurit jo vetëm përmes humbjes së peshës, por edhe për shkak të efekteve të tyre anti-inflamatore dhe lehtësimit të dhimbjes.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes. Kirurgu ortoped Mark Bowditch ka theksuar se studimi nuk tregon se këto barna e eliminojnë nevojën për kirurgji, por vetëm mund të ndikojnë në uljen e rrezikut.

Youtube

Arkiva

Kategoritë