Nutricionistja e “Familja Jonë”, Albulena Shabani Ilazi, ka ndarë disa këshilla praktike për mënyrën se si qytetarët mund të rikthehen gradualisht në formë dhe të qetësojnë sistemin tretës pas festës së Bajramit. Sipas saj, kjo periudhë shpesh shoqërohet me teprime ushqimore, veçanërisht me konsum të shtuar të ëmbëlsirave dhe ushqimeve me përmbajtje të lartë sheqeri, të cilat mund të rëndojnë organizmin dhe të ndikojnë në mirëqenien e përgjithshme.
Si hap të parë dhe më të rëndësishëm, nutricionistja thekson hidratimin e rregullt të trupit, duke e konsideruar atë bazë për rikthimin e ekuilibrit të organizmit pas festave.
“E rëndësishme është të qëndroni të hidratuar, dhe një ide e mirë do të ishte një smoothie “detox” me perime të gjelbra, të cilat në përgjithësi përmbajnë klorofil dhe fibra, duke ndihmuar mëlçinë, e cila shpesh ka ngarkesën më të madhe nga sasia e lartë e sheqerit që është konsumuar.” thotë Shabani Ilazi.
Ajo shton se përfshirja e ushqimeve dhe pijeve të pasura me përbërës natyralë, si pemët dhe perimet e gjelbra, mund të ndihmojë në përmirësimin e funksioneve të mëlçisë dhe në lehtësimin e procesit të tretjes, veçanërisht pas periudhave të konsumit të tepruar ushqimor.
Sipas nutricionistes, organizmi ka nevojë për një periudhë rikuperimi ku fokusi duhet të jetë tek ushqimi i lehtë, hidratimi dhe balancimi i dietës.
Gjithashtu, Shabani Ilazi rikujton se mungesa e lëngjeve në trup, pra dehidratimi, mund të sjellë një sërë problemesh që ndikojnë jo vetëm në shëndetin fizik, por edhe në gjendjen mendore dhe funksionimin e përditshëm të organizmit.
“Duhet të qëndrojmë të hidratuar, të pimë sa më shumë ujë për shkak të lëkurës, por edhe sepse dehidratimi ndikon negativisht në organizëm. Ai ndikon në sistemin nervor qendror, në përqendrim dhe në lodhjen psikologjike. Prandaj, në këtë rast është shumë e rëndësishme të qëndrojmë të hidratuar.” shpjegon nutricionistja.
Sipas saj, konsumimi i mjaftueshëm i ujit ndihmon në përmirësimin e funksionit të trurit, rritjen e përqendrimit dhe uljen e ndjenjës së lodhjes, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e përgjithshme të trupit.
Në fund, Shabani Ilazi thekson se rikthimi në një rutinë të shëndetshme pas festave nuk duhet të jetë i menjëhershëm dhe i rënduar, por gradual, i shoqëruar me zgjedhje të kujdesshme ushqimore dhe kujdes ndaj hidratimit.
Shpjegimin e nutricionistes mund ta ndiqni në videon më poshtë.













