Në vazhdën e aktiviteteve në Komunën e Prizrenit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, vizitoi Qendrën për Aftësim Profesional në Prizren.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla pati mundësinë të njihet nga afër me disa nga drejtimet profesionale që ofrohen në këtë qendër, përfshirë rrobaqepësinë, floktarinë dhe kuzhinën, si dhe me punën dhe angazhimin e pjesëmarrësve të trajnimeve profesionale.
“Po ashtu, u bisedua edhe për drejtimet profesionale që ofrohen në qendër, zhvillimin e kapaciteteve trajnuese dhe rëndësinë e përshtatjes së programeve me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës.” thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla vlerësoi rolin e Qendrave për Aftësim Profesional si hallkë kyçe të politikave të punësimit, duke theksuar rëndësinë e tyre si mekanizëm i drejtpërdrejtë për përgatitjen dhe integrimin e qytetarëve në tregun e punës.













