Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për realizimin e projektit “Dislokimi i rezervuarit të Kalasë së Prizrenit”.
Në njoftim bëhet e ditur se Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtori i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Bekim Gashi, nënshkruan marrëveshjen tripalëshe për bashkëfinancimin e projektit kapital për dislokimin e rezervuarit të ujit nga hapësira e Kalasë së Prizrenit.
Sipas ministrisë, ky projekt synon mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjate të një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës.
“Rezervuari ekzistues, i vendosur brenda hapësirës së Kalasë që nga viti 1939, ka shkaktuar ndër vite rrjedhje të vazhdueshme të ujit, duke dëmtuar strukturat e monumentit dhe duke rrezikuar sigurinë e vizitorëve.” thuhet në njoftim.
Sipas marrëveshjes, projekti do të realizohet përmes bashkëfinancimit nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”, me një vlerë të përgjithshme prej 450 mijë euro.













