Gjatë takimit të 130-të të Asamblesë të Asociacionit Mjekësor Gjerman, janë organizuar edhe disa tryeza të rrumbullakëta me rëndësi të veçantë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet odave dhe asociacioneve mjekësore europiane.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Odave të Europës Qendrore dhe Lindore u ftuan të diskutojnë lidhur me organizimin dhe temat kryesore të takimit të ardhshëm të ZEVA-s, i cili do të mbahet në shtator të vitit 2026 në Vjenë.
Gjatë diskutimeve u dakordua që fokusi i këtij takimi të jetë në tri fusha kryesore me rëndësi për zhvillimin e sistemeve moderne shëndetësore dhe avancimin profesional të mjekëve:
- Edukimi i Vazhdueshëm Profesional i strukturuar
- Telemjekësia dhe zhvillimet bashkëkohore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore
- Lëmitë e veçanta të specializimeve dhe subspecializimeve, si dhe trajtimi i tyre në kuadër të sistemeve shëndetësore europiane
Në kuadër të diskutimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Odës së Mjekëve të Kosovës, z. Gramoz Jakupi, paraqiti qëndrimet e OMK-së lidhur me edukimin e vazhdueshëm profesional dhe zhvillimin e telemjekësisë, duke i vënë theks procesit të harmonizimit me praktikat dhe standardet europiane.
Pjesëmarrja e Odës së Mjekëve të Kosovës në këto diskutime konfirmon angazhimin për të qenë pjesë aktive e proceseve profesionale dhe reformuese në nivel europian, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me institucionet homologe ndërkombëtare.












