Ministria e Shëndetësisë mori pjesë në takimin ndër-rajonal të organizuar nga UNICEF në Sofie, i cili iu kushtua programit të financimit të sistemeve të vizitave në shtëpi për nënat dhe fëmijët nga mosha 0 deri në 3 vjeç, si dhe ndërhyrjeve në fëmijërinë e hershme.
Në njoftimin e tyre, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi u diskutuan praktikat më të mira dhe modelet e financimit të shërbimeve të vizitave në shtëpi për nënat dhe fëmijët, me fokus të veçantë në qëndrueshmërinë financiare dhe planifikimin afatgjatë të këtyre programeve.
Sipas ministrisë, rezultatet e arritura nga Kosova në këtë fushë u vlerësuan si ndër më të mirat në rajon, veçanërisht për stabilitetin dhe vazhdimësinë e financimit të këtyre shërbimeve.
“Pjesëmarrja në këtë takim përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbim përvojash, forcim të bashkëpunimit rajonal dhe avancim të mëtejshëm të politikave dhe shërbimeve që mbështesin zhvillimin e hershëm të fëmijëve dhe mirëqenien e familjeve në vend.” ka vlerësuar ministria.













