Sot, më 12 maj, shënohet Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, një ditë e dedikuar për të vlerësuar kontributin që infermierët japin në kujdesin shëndetësor dhe në mirëqenien e shoqërisë. Kjo datë përkon me përvjetorin e lindjes së Florence Nightingale, themelueses së infermierisë moderne.
Kjo ditë shënohet që nga viti 1965 nga Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve (ICN), ndërsa që nga viti 1974, 12 maji është caktuar zyrtarisht si dita globale e infermierëve. Çdo vit, ICN publikon materiale edukative dhe udhëzuese për të ngritur vetëdijen mbi rolin e këtij profesioni jetik.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në botë ka mbi 28 milionë infermierë, të cilët përbëjnë rreth 59% të fuqisë punëtore në sektorin e shëndetësisë. Megjithatë, raportet tregojnë se ende mungojnë rreth 6 milionë infermierë në nivel global, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, raporton RTKlive.
Infermierët janë shpesh kontakti i parë dhe më i afërt i pacientëve me sistemin shëndetësor, duke ofruar kujdes, mbështetje emocionale dhe trajtim profesional në çdo fazë të jetës – nga lindja deri në kujdesin paliativ. Roli i tyre u bë edhe më i dukshëm gjatë pandemisë COVID-19, ku ata ishin në vijën e parë të përballjes me krizën shëndetësore globale.












