Sht, Maj 9, 2026
Banner Top
Banner Top
KOMF: Thirrje urgjente prindërve për vaksinimin e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim për paraqitjen e rasteve të sëmundjes së fruthit tek fëmijët në javët e fundit. Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi dhe të gjithë fëmijët e infektuar kanë qenë të pavaksinuar.

Sipas KOMF-it, shqetësuese mbetet edhe rënia e mbulueshmërisë së vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës) në grupmoshën 12–24 muaj, e cila rrit rrezikun për shpërthime të fruthit dhe sëmundjeve të tjera të parandalueshme me vaksinë.

KOMF i ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të vaksinojnë fëmijët e tyre, në përputhje me kalendarin e rregullt të vaksinimit. Në thirrjen e tyre, KOMF ka theksuar se vaksinimi i fëmijëve është obligim ligjor i prindërve që lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit të fëmijës.

“Vaksinat janë mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ato janë të testuara shkencërisht, të sigurta dhe të miratuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare.” ka thënë KOMF.

Në këtë drejtim, KOMF ka apeluar që prindërit që të mos bien pre e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta që mund të qarkullojnë në hapësirat publike apo online.

Për çdo paqartësi, kjo organizatë ka inkurajuar që prindërit të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komuna.

Njëherit, KOMF u ka bërë thirrje institucioneve shëndetësore që të intensifikojnë veprimet për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe për vaksinimin e fëmijëve në komunitet (derë më derë).

“KOMF thekson nevojën për reagim të koordinuar dhe të vazhdueshëm institucional, me fokus në rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit dhe mbrojtjen efektive të shëndetit të fëmijëve.” ka thënë KOMF.

Tutje në këtë postim, është përmendur rëndësia që institucionet shëndetësore duhet të intensifikojnë fushatat vetëdijesuese për vaksinimin, të cilat duhet të shoqërohen me informim të vazhdueshëm të prindërve, me qëllim që ata të jenë të informuar saktë dhe në mënyrë të plotë për rëndësinë dhe sigurinë e vaksinimit

Youtube

Arkiva

Kategoritë