Në këtë 1 Maj, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka rikujtuar se të drejtat e punëtorëve janë standard themelor që duhet të vlejnë njëjtë edhe për gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë.
AGK-ja përmes një postimi ka theksuar se shumë gazetarë në Kosovë vazhdojnë të punojnë me paga minimale, pa sigurime shëndetësore, pa kontrata stabile dhe pa kushte të dinjitetshme në punë.
Gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë, të cilët përballen me terrenin dhe vështirësitë në të, kryejnë detyrat e tyre të pambrojtur dhe të pasigurt.
AGK-ja ka shpjeguar se për shkak të natyrës së profesionit, Ligji i Punës shpesh nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për gazetarët, të cilët punojnë orë të gjata, në ditë pushimi dhe në ditë festash, pa kompensim adekuat dhe pa respektim të të drejtave bazike të punës.
Si pasojë, shkeljet e të drejtave të punës, përfshirë vonesat në paga, mungesën e pushimeve dhe pasigurinë profesionale, vazhdojnë të jenë të pranishme në sektorin medial.
“Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese për gratë gazetare, të cilat shpesh përballen me pengesa në ushtrimin e të drejtave të garantuara me ligj, përfshirë pushimin e lehonisë dhe të drejtën për gjidhënie. Në praktikë, këto të drejta nuk respektohen gjithmonë, duke i vendosur gratë përballë zgjedhjeve të padrejta mes profesionit dhe mirëqenies së tyre dhe të fëmijëve.” thotë AGK-ja.
Sipas AGK-së, kjo gjendje rëndohet edhe më tej nga mungesa e një sindikate gjithëpërfshirëse që përfaqëson të gjithë punonjësit medialë dhe mbron të drejtat e tyre. Pa përfaqësim të organizuar dhe të fuqishëm, gazetarët mbeten të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe me mundësi të kufizuara për të kërkuar të drejtat e tyre.
AGK-ja ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës të Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse që të rrisin mbikëqyrjen dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të adresuar shkeljet e të drejtave të punës në sektorin medial.
“Po ashtu, u bëjmë thirrje pronarëve të mediave që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të sigurojnë kushte të dinjitetshme pune për stafin e tyre.” thuhet në postim.
Në të njëjtën kohë, AGK-ja i ka inkurajuar gazetarët dhe punonjësit medialë që të informohen për të drejtat e tyre, të mos i normalizojnë abuzimet dhe të kërkojnë mbrojtje kur këto të drejta shkilen.
“Gazetarët, kameramanët, fotografët janë punëtorë që kanë nevojë për siguri dhe dinjitet për ta kryer misionin e rëndësishëm për gazetari të lirë dhe të pavarur.” ka përmbyllur AGK-ja.













