Pre, Qer 12, 2026
Banner Top
Banner Top
Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës: Ushqyerja e kafshëve të egra po sjell rreziqe

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me praktikën e përsëritur të ushqyerjes së kafshëve të egra në habitatet e tyre natyrore në disa lokalitete në Kosovë.

Sipas Institutit për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës, vendosja e ushqimit për kafshët e egra pa leje po përsëritet nga individë, organizata joqeveritare dhe ndërmarrje publike.

Instituti njofton se janë shtuar edhe ankesat e qytetarëve për afrimin e kafshëve të egra pranë vendbanimeve, ku janë raportuar arinj në Prizren dhe Dragash, si dhe ujq në Istog.

Në reagimin e tyre, ky institut ka vlerësuar se këto fenomene mund të lidhen me praktikat e ushqyerjes së qëllimshme, të cilat mund të kenë ndikuar në ndryshimin e sjelljes së kafshëve të egra, duke i orientuar ato drejt burimeve të lehta ushqimore dhe, rrjedhimisht, drejt zonave të banuara, duke ndikuar po ashtu në prishjen e balancës ekologjike në ekosistemet natyrore.

“Edhe më shqetësues është fakti se raste të tilla të ushqyerjes së kafshëve të egra në habitatet e tyre janë vërejtur edhe në parqe kombëtare.” thuhet në reagim.

Sipas tyre, ishqimi i kafshëve të egra, edhe kur bëhet me qëllim të mirë, krijon disa probleme serioze për ekosistemin dhe vetë kafshët e egra, duke përfshirë:

  • Rrezik për sigurinë publike – afrimi i kafshëve të egra pranë zonave të banuara dhe turistike mund të shkaktojë frikë, shqetësim dhe potencialisht incidente me njerëzit.
  • Ndryshim i sjelljes natyrore të faunës – kafshët humbin instinktin për kërkim natyror të ushqimit dhe krijojnë varësi nga burimet artificiale.
  • Degradim i ciklit natyror të jetesës – ndërhyrje direkte në balancën ekologjike dhe funksionimin e ekosistemit. Ushqimi artificial mund të grumbullojë shumë individë në një vend, duke rritur konkurrencën, përhapjen e sëmundjeve dhe prishjen e strukturës natyrore të popullatave.
  • Rreziku i sëmundjeve – kontaktet më të shpeshta mes kafshëve dhe ushqimeve jo natyrore mund të përhapin sëmundje si te kafshët e egra ashtu edhe potencialisht te kafshët shtëpiake.
  • Rrezik për shëndetin e kafshëve – ushqimi i ofruar mund të mos jetë i përshtatshëm ose i sigurt për speciet përkatëse.
  • Rritje e konflikteve njeri–kafshë – si pasojë e habituimit dhe afrimit të përsëritur ndaj vendbanimeve.
  • Varësia dhe ulja e mbijetesës – në periudha kur nuk ka ushqim nga njerëzit, këto kafshë mund të kenë më pak shanse për mbijetesë, sepse janë mësuar të mos kërkojnë vetë.

“Duke marrë parasysh se kushtet klimatike në vendin tonë nuk karakterizohen nga dimra ekstremë që do të justifikonin ndërhyrje të tilla, praktika e ushqyerjes së qëllimshme konsiderohet e panevojshme dhe potencialisht e dëmshme për ruajtjen afatgjatë të faunës së egër.” ka thënë ky institut.

Duke u bazuar në shqetësimet e paraqitura më sipër, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës i rekomandon Inspektoratit të Natyrës dhe organeve të tjera përgjegjëse ndërmarrjen e masave që përfshijnë:

  • Inspektimin në terren në zonat e identifikuara, si dhe në zona të tjera potenciale, për të verifikuar praninë e strukturave ushqyese të vendosura për kafshët e egra,
  • Identifikimin dhe dokumentimin e vend-ushqimeve, përfshirë evidentimin e llojit të ushqimit dhe frekuencës së përdorimit,
  • Largimin e menjëhershëm të vend-ushqimeve të paautorizuara, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e natyrës, si dhe
  • Ndërmarrjen e masave ndaj subjekteve dhe individëve përgjegjës, në rast të konstatimit të shkeljeve.

Youtube

Arkiva

Kategoritë