Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksident trafiku me fatalitet që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së 13 prillit në fshatin Dobrushë të Istogut.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 05:54, Stacioni Policor në Istog është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Dobrushë- Istog.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor.
“Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur, deri sa automjeti ishte duke qarkulluar në magjistralen Pejë – Mitrovicë, saktësisht në fshatin Dobrushë- Istog, duke mos ju përshtatur shpejtësisë dhe kushteve të rrugës i njëjti humb kontrollin dhe me pas devijon djathtas dhe godet shtyllën e betonit.” ka shpjeguar policia.
Si pasojë e aksidentit, vozitësi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekje e cila është konstatuar nga ekipi mjekësor.
Tutje policia ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit shtetit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për Obduksion, rasti vazhdon të hetohet nga hetuesit e aksidenteve NJRKRR- DRP-Pejë.












