Në frymën e kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Shoqëria Kulturo-Artistike “Durmish Aslano” mbajti një koncert ku solli në skenë trashëgiminë shpirtërore rome përmes këngëve të vjetra dhe valleve tradicionale, të cilat bartin kujtesën, identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë ndër breza.
Përmes një njoftimi, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka treguar se këto interpretime autoktone pasqyruan thellësinë e një kulture të pasur, ku çdo tingull dhe çdo lëvizje rrëfen histori të ruajtura me kujdes në kohë.




“Ky koncert u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programeve që synojnë të ruajnë, fuqizojnë dhe promovojnë diversitetin kulturor si vlerë e përbashkët e shoqërisë sonë. Në këtë ngjarje morën pjesë Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministrja Tijana Veljković.” ka shtuar tutje kjo ministri.
Më 8 prill u vendos Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kongresin e Parë Botëror Rom në Londër, në vitin 1971, i organizuar nga Comité International Rom (CIR). Ky event shënoi përpjekjen e parë të madhe për bashkëpunim ndërkombëtar për komunitetin rom, duke miratuar flamurin dhe himnin e tij.













