Mbrëmjen e së dielës së 22 marsit, një person ka mbetur i vrarë dhe dy gra, njëra 31 vjeçare e tjetra 73 vjeçare janë plagosur me armë zjarri në fshatin Majac të Podujevës.
Në lidhje me këtë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar se gruaja, 73-vjeçare, ka ndërruar jetë rreth orës 03:00 pas mesnate.
Ndërsa, në njoftim është bërë e ditur se gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po vazhdon trajtimi intensiv nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.
Sipas njoftimit, këto dy paciente, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra e lindur në vitin 1995, ishin pranuar në Qendrën Emergjente me autoambulancë nga Podujeva, si pasojë e lëndimeve të marra nga arma e zjarrit.
“Menjëherë pas pranimit, janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme emergjente. Të dy pacientet janë pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, dhe janë intubuar me frymëmarrje të asistuar. Njëra nga pacientet është dërguar në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit janë duke vazhduar trajtimin intensiv.” shpjegohet në njoftim.













