Dr. Valdet Hashani, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha se hapja e këshillimores së dytë për menaxhimin e sëmundjeve kronike jongjitëse paraqet arritje të rëndësishme për kryeqytetin dhe për QKMF-në.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Hashani bëri me dije se këshillimorja e parë ishte hapur në fillim të vitit të kaluar, ndërsa tashmë është funksionalizuar edhe e dyta, me synimin që në të ardhmen të hapen edhe katër të tjera në qendrat e mjekësisë familjare në lagje të ndryshme të Prishtinës. Sipas tij, kjo qendër ofron këshillim dhe mbështetje për pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike si diabeti, hipertensioni dhe astma.
“Kjo është një këshillimore për sëmundje kronike që zgjasin për një periudhë të gjatë dhe që nuk janë ngjitëse. Pacientët shpesh përballen me këto sëmundje për shumë vjet, madje edhe gjatë gjithë jetës”, tha Hashani.
Ai bëri me dije se vetëm dy javë pas hapjes së këshillimores së re janë regjistruar rreth 100 pacientë gjë, sipas tij, tregon interesimin e madh të qytetarëve për këto shërbime. Hashani shtoi se është në plan hapja edhe e katër këshillimoreve të tjera në lagje të ndryshme të kryeqytetit.
Drejtori i QKMF-së theksoi se këto qendra ndihmojnë në lehtësimin e ngarkesës në institucionet e tjera shëndetësore, duke shmangur vizitat e panevojshme në spitale dhe duke përmirësuar kujdesin parësor shëndetësor.
Ai përmendi edhe mungesën e stafit shëndetësor, duke theksuar se hapja e çdo këshillimoreje kërkon angazhimin e infermierëve të trajnuar, ndërsa nevoja për personel shtesë mbetet e lartë për shkak të rritjes së numrit të banorëve dhe kërkesës për shërbime.











