Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur solidaritet të plotë me gazetaren Ardiana Thaçi-Mehmeti, e cila të enjten mbrëma, më 12 mars, njoftoi se numri i saj i telefonit është shpërndarë në mënyrë të paligjshme në një grup me rreth 70 mijë anëtarë në rrjetin “Discord”.
Sipas reagimit të kësaj organizate, sulme të tilla rrezikojnë jo vetëm gazetarët, por edhe lirinë e shprehjes, integritetin personal dhe sigurinë e grave si në hapësirën online, ashtu edhe në atë offline.
“U bëjmë thirrje autoriteteve që të veprojnë me shpejtësi dhe të mbajnë përgjegjës ata që janë përgjegjës,” ka theksuar Rrjeti i Grave të Kosovës.
Organizata gjithashtu ka shprehur mbështetjen e saj për të gjitha gratë që përballen me dhunë dhe ngacmim, duke i inkurajuar ato të raportojnë çdo formë abuzimi.
RrGK-ja ka rikujtuar se qytetarët mund të raportojnë në Policinë e Kosovës në numrin 192 ose të kontaktojnë Rrjetin e Grave të Kosovës për këshillim juridik falas në 048 105 800.
“Askush nuk duhet të heshtë përmes frikësimit,” ka përfunduar Rrjeti i Grave të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi-Mehmeti njoftoi se mbrëmjen e 12 marsit, pak pas orës 22:00, ishte vërshuar me thirrje dhe mesazhe me ngacmime seksuale online.
Ndërkaq, sot Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, ka njoftuar se Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, së bashku me gazetaren Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe përfaqësuesin ligjor të AGK-së, avokatin Yll Zekaj, e kanë paraqitur rastin në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Platforma Rajonale SafeJournalists i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të hetojnë me urgjencë rastin, të identifikojnë përgjegjësit dhe të sigurojnë llogaridhënie.
“Rrjeti SafeJournalists vë në dukje se kjo është hera e tretë në dy vitet e fundit që Thaçi-Mehmeti përballet me ngacmime online dhe kërcënime seksuale. Synimi i përsëritur ndaj gazetarëve, veçanërisht gazetarëve gra, përbën një kërcënim serioz për lirinë e medias dhe të drejtën e shprehjes.” ka theksuar kjo platformë.
SafeJournalists ka theksuar gjithashtu se do t’i informojnë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.
“Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.” – thuhet në reagimin e SafeJournalists.












