Të dhënat më të fundit nga Studimi i Iniciativës Evropiane për Mbipeshën e Fëmijëve (COSI) nxjerrin në pah një situatë shqetësuese lidhur me ushqyerjen dhe peshën trupore te fëmijët në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Institutit për Shëndetin Publik, 31.2% e fëmijëve të moshës 6–9 vjeç janë mbipeshë, ndërsa 13.7% jetojnë me obezitet nivele më të larta se mesatarja evropiane prej 25% për mbipeshën dhe 11% për obezitetin.
Të dhënat tregojnë se mbipesha dhe obeziteti janë më të përhapura te djemtë sesa te vajzat. Në të njëjtën kohë, vetëm një në katër fëmijë konsumon fruta të freskëta çdo ditë, duke shënuar nivelin më të ulët në rajonin evropian. Edhe konsumi i përditshëm i perimeve mbetet i ulët, me vetëm 20% të fëmijëve që i përfshijnë ato çdo ditë në dietë.
Ndërkohë, 40% e fëmijëve konsumojnë ushqime të kripura, ndërsa më shumë se gjysma (51%) hanë rregullisht ushqime të ëmbla të paktën tre herë në javë.
Sa i përket stilit të jetesës, rreth 40% e fëmijëve kalojnë mbi dy orë në ditë para ekraneve. Megjithatë, ka edhe tregues pozitivë: 63.3% ecin ose shkojnë me biçikletë në shkollë (deri në 89% për ata që jetojnë brenda dy kilometrave), 94% luajnë të paktën një orë në ditë dhe 88.6% flenë minimumi nëntë orë çdo natë. Rreth 48.2% merren me sport aktiv më shumë se dy orë në javë.
“Fëmijët me mbipeshë dhe obezitet jetojnë në familje, prindërit e të cilave kanë një nivel të ulët ose të mesëm arsimimi formal. Fëmijët që praktikojnë zakone që mbështesin shëndetin jetonin me prindër që kishin një nivel më të lartë arsimimi.
Ka një ndërgjegjësim të ulët midis prindërve për të njohur mbipeshën dhe obezitetin tek fëmijët e tyre. Për më shumë se gjysmën e fëmijëve që jetojnë me mbipeshë dhe ose obezitet, prindërit perceptojnë se pesha trupore e fëmijëve të tyre ishte brenda kufijve të rekomanduar të “peshës normale trupore””, thuhet në njoftimin nga ISHP-ja.











