Departamenti i Epidemiologjisë i Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka zhvilluar një takim me përfaqësues të iniciativës EuroSAVE të Organizata Botërore e Shëndetësisë për Evropë, si dhe me përfaqësues të Klinikës së Sëmundjeve Infektive dhe Klinikës së Pediatrisë, me fokus avancimin e mbikëqyrjes së Infeksioneve të Rënda Akute Respiratore (SARI).
Gjatë takimit, Departamenti i Epidemiologjisë prezantoi situatën epidemiologjike të infeksioneve akute respiratore në Kosovë, bazuar në të dhënat e mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse dhe Buletinin e Gripit Sezonal.
Ndërkohë, përfaqësuesit e EuroSAVE prezantuan rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm, protokollet standarde evropiane për mbikëqyrjen e SARI dhe mbështetjen teknike për databazat analizuese.
Sipas njoftimit pjesëmarrësit diskutuan organizimin praktik të zbatimit të mbikëqyrjes, duke përfshirë identifikimin e rasteve, plotësimin e formularëve standardë dhe sigurimin e cilësisë së të dhënave.
U theksua nevoja për rritjen graduale të mbulueshmërisë së raportimit në SMSN (Sistemi i Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse), me qëllim përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe integrimin në EuroSAVE.
“U diskutuan kapacitetet laboratorike, si dhe u realizua një vizitë në laboratorin e viruseve respiratorë në IKSHPK, ku aktualisht testohen mostrat SARI për RSV, influencë, SARS-CoV-2, hMPV dhe viruse të tjera respiratore, duke siguruar bazën laboratorike për mbikëqyrjen e avancuar.
Takimi përfundoi me dakordim mbi hapat e ardhshëm, përfshirë përmirësimin e raportimit në SMSN (Sistemi i mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse), standardizimin e mbledhjes së të dhënave sipas EuroSAVE, fuqizimin e koordinimit dhe komunikimit ndërinstitucional.” thuhet tutje në njoftim.












