Enj, Mar 26, 2026
Banner Top
Banner Top
Sfidat e trajtimit të hipertensionit arterial gjatë Ramazanit – Intervistë me Dr. Sci. Artan Ahmeti, internist/kardiolog

Shkruan: Krenare Hoti

Agjërimi në Ramazani paraqet ndryshim të theksuar në ritmin cirkadian, orarin e ushqimit dhe marrjes së medikamenteve. Tek pacientët me hipertension arterial (HTA), kjo krijon disa sfida klinike specifike.

Në lidhje me këto sfida, portali FamiljaJonë ka intervistuar Dr. Sci. Artan Ahmeti, internist dhe kardiolog që të na jep më shumë detaje rreth ndryshimeve hemodinamike dhe volumetrike tek personat me hipertension arterial, problemeve dhe sfidave të cilat ata mund t’i hasin, e deri tek këshillat që duhet t’i praktikojnë këta persona para dhe gjatë ramazanit.

Së pari, Dr. Sci. Ahmeti tregon se gjatë agjërimit në muajin e ramazanit, tek personat me hipertension arterial shfaqen disa ndryshime hemodinamike dhe volumetrike.

Ai tregon se tek këta persona ndodh dehidratimi duke pas një reduktim të marrjes së lëngjeve për 12-16 orë, ose edhe më shumë. Kjo gjendje, bën të ditur kardiologu, shfaq një rritje relative të hematokritit dhe viskozitetit. Si pasojë shkaktohet edhe rreziku për hipertension ortostatik, sidomos tek personat më në moshë.

Tutje, kardiologu tregon se gjatë kësaj periudhe ndodh edhe nja aktivizim neurohormonal duke pas si pasojë stimulimin e sistemit reninë-angiotensinë-aldosteron. Gjitashtu, vlen të theksohet se gjatë ditës shfaqet edhe një tension më i madh arterial.

Dr. Sci. Ahmeti tutje na njeh edhe me problemet me adherencën terapeutike të cilat janë:

  • Kalimi nga skema 2–3 herë/ditë në vetëm 2 dritare kohore (iftar–syfyr);
  • Pacientët shpesh modifikojnë dozën pa konsultë;
  • Rreziku për mosmarrje të dozës së mesditës (p.sh., beta-bllokues me dozë të ndarë).

Pas iftarit, doktori tregon se ndodh një rritje e TA që nënkupton rastin e ngarkesës së lartë me kripë dhe karbohidrate. Gjitashtu, kardiologu përmend se gjatë agjërimit, pacientët të cilët kanë probleme me hipertensionin arterial, mund të hasin në hipotension gjatë paradites si shkak i mungesës së lëngjeve.

Në lidhje me këtë, Dr. Sci. Ahmeti rekomandon vetëmonitorimin e TA-së dhe regjistrimin e vlerave për 1-2 javët e para të ramazanit.

I pyetur se kur mund të rekomandohet mos-agjërimi për arsye mjekësore, mjeku përmend HTA rezistente, historitë e krizës hipertensive, sëmundjeve koronare aktive, insuficiencës kardiake si dhe insuficiencës renale të avancuar si raste kryesore për të cilat duhet këshillim individual dhe ndonjëherë edhe rekomandim që të mos agjërohet.

Krejt në fund, mjeku na jep disa këshilla apo strategji praktike që personat me hipertension arterial mund t’i praktikojnë.

Ato janë:

Para Ramazanit (ideal 2–4 javë më herët):

  • Rishikim i skemës antihipertensive;
  • Konvertim në preparate 1x/ditë kur është e mundur;
  • Edukim për hidratim adekuat gjatë iftar–syfyr;
  • Kufizim i kripës.

Gjatë Ramazanit:

  • Monitorim i simptomave (marramendje, palpitacione);
  • Ndërprerje e agjërimit nëse TA >180/110 mmHg ose ka simptoma serioze.

Youtube

Arkiva

Kategoritë